Qeveria anullon zyrtarisht tenderin për interkonjeksionin me Kosovën
Tiranë- Qeveria shqiptare ka vendosur të anullojë zyrtarisht tenderin e shumëpërfolur të linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Vendimi i është komunikuar kompanitë private një ditë më parë. Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i saj për të mos anuluar tenderin pavarësisht presioneve të forta që pati nga Banka Gjermane KFV, e cila financon projektin.
Saga e tenderit ka nisur që në Mars të vitit të kaluar, kur qeveria zhvilloi tenderin për ndërtimin e linjës. Formula e paracaktuar e vlerësimit nxori fituese një kompani kroate, por sapo KFV-ja njoftoi fituesin, qeveria bllokoi procesin, pasi çmimi i fituesit ishte 8 milionë Euro më i lartë se vendi i dytë. Bllokimi u kundërshtua nga banka gjermane, e cila i kërkoi qeverisë të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës dhe të mos e anullojë tenderin, por pa rezultat. Që nga ajo kohë mes qeverisë dhe KFV-ja ka patur një sërë letërkëmbimesh mbi këtë konflikt.
Muajt e fundit banka gjermane, pranoi anulimin e tenderit por në këmbim të disa kushteve, ku më kryesori ishte ai që qeveria, saktësisht ministria e financave, të pranonte rezultatin e tenderit të dytë, cilido të ishte ai. Por, ministria e Financave, në rolin e huamarrësit nuk e pranoi dhe ka vendosur prishjen e tenderit në mënyrë të njënashme, cka duket se do rrezikojë financimin e tij nga banka gjermane, e cila më parë kishte parlajmëruar se do të tërhiqej nëse qeveria nuk pranon kushtin.
Me këtë vendim, ndërtimi i linjës rrezikon të mbetet i bllokuar edhe për disa vite të tjera. Opozita ka akuzuar në më shumë se një rast se bllokimi është i qëllimshëm nga qeveria për të favorizuar sipas saj monopolin serb në tregun shqiptar të energjisë.
Marrë nga TCH
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: