Qeveria do i shesë hidrocentralet me gjysëm çmimi
Qeveria shqiptare do i shesë katër hidrocentralet shtetërore për rreth 100-150 milion euro, sa gjysma e vlerës së tyre të vërtetë. Kështu shprehen ekspertë të fushës për gazetën Shqip. Ata thonë se nëse do ndërtoheshin sot, hidrocentralet do kushtonin së paku 300 milion euro. Për më tepër, ato kanë një jetëgjatësi prej 250-300 vitesh.
Qeveria ka vendosur të nxjerrë në shitje katër hidrocentralet, Ulzën e Shkopetin në lumin Mat dhe Bistrica 1 e Bistrica 2 në lumin Bistricë. Mendohet se xhiro vjetore e hidrocentraleve është 22 milion euro dhe blerësit do i nxjerrin fitimet brenda fare pak vitesh.
Ekspertët thonë se për më tepër, këto hidrocentrale kanë një rëndësi strategjike. Shkopeti përdoret prej vitesh si rezervë strategjike prodhuese. Qëllimi është që të shmanget rënia e rrjetit dhe ndërprerja e furnizimit. Po ashtu hidrocentralet e Bistricës janë me rëndësi për sistemin pasi në jug janë të vendet burime gjeneruese që ndihmojnë në stabilizimin e tensionit në atë pjesë të rrjetit dhe rrjedhimisht sjellin uljen e humbjeve teknike. Qeveria shqiptare ka shpenzuar miliona euro për rehabilitimin e tyre.