Qeveria duhet t’i tregojë BE-së të arriturat me vepra

Albana Merja, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, prezantoi një raport të shkurtër politikash në lidhje me procesin dhe sfidat që paraqiten në këtë proces, duke thënë se ka pasur një proces unilateral nga ana e Qeverisë, e cila ka ngritur grup pune dhe ka bërë një planë për të ndërmarrë disa sfida që Kosova ka dhe se Qeveria duhet të jetë pak më e përgatitur se sa vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë në këtë proces do të ketë disa sfida që do të jenë deri diku të vështira për Qeverinë dhe për institucionet tjera.
“Një ndër sfidat kryesore do të jetë, që të gjithë aktorët e këtij procesi duhet të jenë shumë aktiv sa i përket lobimit, duhet të jenë shumë aktiv në diplomaci, sepse siç e dimë të gjithë ky proces përveç që është teknik, është edhe shumë politik. Qeveria duhet që të gjitha arritjet, t’ia tregojë vendeve të Bashkimit Evropian me vepra”, ka thënë Mereja.
Sfida tjetër, sipas saj është menaxhimi i kufirit me Serbinë dhe siguria, shteti ligjor dhe korrupsioni.
Ndërsa, zëvendësministri për Integrime Evropiane, Gëzim Kasapolli deklaroi se konfirmimi i marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, është një zhvillim pozitiv, pasi që institucionet e Kosovës do t’i kenë të qarta të gjithë kriteret që duhet të përmbushen, në mënyrë që qytetarët tanë të mund të udhëtojnë në Evropë.
“Qytetarët tanë, shumë shpejt do të jenë në gjendje që të shfrytëzojnë këtë të drejt, të ndihen krenar me vendin e tyre dhe të barabartë me të gjithë qytetarët evropianë. Këtë shpresojmë që do ta shfrytëzojnë më së miri rinia jonë, e cila do të ketë mundësin që të kontaktojë më shumë, e më lehtë me bashkëmoshatarët në Evropë dhe kjo padyshim do të përshpejtojë edhe zhvillimin e vendit tonë në një të afërt”, ka thënë Kasapolli.
Ai u shpreh i bindur se institucionet e Kosovës do t’i përmbushin obligimet në kohë rekorde, duke dëshmuar edh një herë përkushtimin për këtë proces.
Kurse, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Puhija Demaku theksoi se kur e shikon kopjen e draftit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe ndoshta titulli i këtij dokumenti, duket se është mision i pa mundur, kur sheh sfidat me të cilat pritet të ballafaqohet shteti jonë.
“Ne kemi një problem me vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat do të kenë mundësi të ndërhyrjes në udhërrëfyesin pa paragjykuar statusin e Kosovës. Po ashtu i jepet shumë hapësirë për ndërhyrje edhe ekspertëve, të cilët kur janë individë, do të jenë shumë subjektivë në këtë drejtim dhe unë kam frikë që mos po përfundojmë me një liberalizim, sikur tani që marrim vizat shengen minus pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Po ashtu edhe një sfidë tjetër që e shohë unë këtu, është koncesionet që kanë ndodhur me Serbinë, për të cilin ne si Lëvizje kemi paralajmëruar shumë moti, sepse nëse e shihni bllokun ku flitet për sigurimin dhe menaxhimin e kufijve, e shihni se gjithçka varet nga marrëveshja që është bërë me Serbinë në dialogun të quajtur teknik”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, njohësja e procesit të liberalizimit të vizave, Besa Shahini tha se arsyeja pse procesi ka qenë i suksesshëm në vendet e rajonit, është se janë qartësuar kriteret dhe ka qenë e lehtë për qeverinë t’i përcjellë ato dhe se në draftin e udhërrëfyesit ekziston një faqe ku kërkohet konsultime të përforcuara me Këshillin e Ministrave.
“Kjo do të thotë që gjatë procesit, pasi që të jepet udhërrëfyesi, do të ketë mundësi të bëhet ndryshime dhe në momentin që ka mundësi të bëhen ndryshime, do të jetë vështirë për Qeverinë t’i përcjelle dhe t’i dijë që është apo nuk është duke i plotësuar, duke marr parasysh që ato do të mund të shtyhen dhe ndryshohen gjatë procesit”, ka thënë Shahini.
Sipas saj, do të kalojnë tri deri në pesë vjet, derisa të udhëtojmë pa viza dhe mos të përdorët kjo si xhokeri elektoral sa herë të kemi zgjedhje.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar nga 18 deri në 30 muaj deri në plotësimin e të gjitha kushteve dhe fitimin e liberalizimit të vizave, kurse, Kosova pritet të marrë udhërrëfyesin në mes të muajit qershor. /kosovapress/