SHBA: Perëndimi nuk e do Nikoliqin

Abramowitz thotë se zyrtarët e BE-së dhe të SHBA kishin shpresuar për zgjedhjen e një lideri që do të çonte përpara çështjen e Kosovës. Por mbetet një pikëpyetje nëse një lider i tillë mund të gjendet sot në Beograd, e padyshim Nikoliq nuk është njëri nga të pëlqyerit e Perëndimit. Ish ndihmësekretari amerikan i Shtetit thotë se përkundër ndihmës evropiane dhe amerikane, Boris Tadiq nuk fitoi, ndërsa shefja e politikës së Jashtme evropiane Katherin Ashton bëri të gjitha përpjekjet për rizgjedhjen e tij, duke i inkuadruar edhe amerikanët që ta detyronin Qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje jopopullore me Serbinë.
Abramowitz shkruan se as Nikoliq nuk dallon nga Tadiq rreth Kosovës dhe BE i duhet të bisedojë me të dy, sepse sistemi parlamentar i mundëson Tadicit të emërohet kryeministër dhe të ketë më shumë pushtet se Nikoliqi, nëse partia e presidentit mbetet jashtë koalicionit. BE shpreson se me një ndihmë të madhe financiare dhe me premtim anëtarësimi mund të ndryshojë klimën politike në Serbi dhe që lidershipi politik të jetë tolerant ndaj pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë nuk është e sigurt nëse ndonjëri do të pranojë realitetin pa të paktën një lloj ndarje të veriut të Kosovës. Abramowitz tërheq vërejtjen se dhuna ende nuk mund të përjashtohet në Ballkan, ndërkaq problemi më imediat i një shpërthimi të armiqësive mbetet veriu i Kosovës.