Qeveria e nis vitin me borxhe
Nevoja e qeverisë për para ka detyruar financat shqiptare që në fillim të vitit të kërkojnë borxh te qytetarët. Sipas një njoftimi të bërë nga Banka e Shqipërisë, ditën e martë do të zhvillohet një ankand i bonove të thesarit, ku Ministria e fFnancave i kërkon qytetarëve dhe bankave 27.4 miliardë lekë, raporton Vizion Plus. Ky është ankandi i parë që zhvillohet këtë vit, dhe sipas njoftimit një pjesë e parave kërkohen me afat 6 mujor, dhe një pjesë tjetër me afat një vjeçar. Ankandi i fundit ishte para 10 ditësh, ku si pasojë e tejkalimit të nivelit të borxhit publik edhe norma e interesit të bonove u rrit duke shkuar 6.54%, nga 6.35 që ishte më parë, gjë e cila nga ana tjetër rrit koston e borxhit. Marrja e parave borxh në tregun e brendshëm në fillim të vitit ndodh për shkak të shpenzimeve që financat duhet të bëjnë për rroga apo pensione, pasi mbledhja e të ardhurave në buxhetin e këtij viti është në fazat e para.