E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria forcon mbrojtjen personale për drejtuesit e gjyqësorit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për rritjen e masave të sigurisë për drejtuesit e institucioneve kyçe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndryshimi forcon mbrojtjen personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit, si dhe drejtorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Vendimi modifikon pikën 3 të VKM-së ekzistuese dhe shton elemente të reja sigurie, duke njohur rrezikshmërinë e lartë të detyrës së këtyre zyrtarëve.

Mbrojtje e dyfishtë dhe kohëzgjatje më e gjatë

Ndryshimi kryesor lidhet me nivelin e mbrojtjes dhe kohëzgjatjen e saj pas përfundimit të mandatit:

•     Për kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe Drejtorin e BKH-së, mbrojtja personale do të garantohet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë gjithë kohës së mandatit. Kjo mbrojtje do të vazhdojë për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të detyrës.

•     Për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), garantohet e njëjta mbrojtje e dyfishtë (truprojë bazë dhe e mesme) gjatë mandatit, por afati i mbrojtjes pas përfundimit të tij është zgjatur në 3 (tre) vjet.

Në ligjin e mëparshëm, mbrojtja ishte më e kufizuar, duke ofruar kryesisht shoqërim me vetëm një truprojë të nivelit të mesëm për gjyqtarët dhe prokurorët.

Vendimi i qeverisë vjen në një kohë kur struktura e re e drejtësisë (SPAK, Gjykata e Posaçme, BKH) po heton çështje të rëndësishme që lidhen me korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, duke rritur potencialin e kërcënimit ndaj drejtuesve.

Forcimi i mbrojtjes synon jo vetëm sigurinë fizike të zyrtarëve, por edhe garantimin e pavarësisë së tyre, duke u mundësuar të punojnë pa frikën e hakmarrjes nga grupet kriminale apo të korruptuara. Ky ndryshim ligjor nënvizon nga ana tjetër nënvizon seriozitetin me të cilin qeveria po i qaset mbrojtjes së shtyllave të Reformës në Drejtësi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›