Qeveria indekson pagat për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
Sipas vendimit, vlerat e elementit “paga për gradë” për të gjithë punonjësit indeksohet me 2,5%, duke përfshirë gradat “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës”, si dhe gradat e tjera të shërbimit.
Efektet financiare të këtij vendimi për vitin 2026 do të mbulohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, si dhe nga transferta dhe të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara në ligjin e buxhetit 2025.
Institucionet përkatëse janë ngarkuar me zbatimin e vendimit, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ka efekt nga data 1 janar 2026.
/e.xh/r.e/a.f/