E Enjte, 5 Nëntor 2026

Qeveria investon për ujësjellësin në Ksamil

Në bashkinë e Sarandës, qeveria ka bërë një sërë investimesh për përmirësimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve. Aktualisht në këtë bashki në zonën e Ksamilit po investohet  për krijimin e një depoje të re që do i japë zgjidhje, një problemi të mbartur në këtë zonë për furnizim me ujë të pijshëm. Sipas drejtorit të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Sarandës Sheme Lulo, ky investim do të furnizojë me ujë jo vetëm Ksamilin por edhe zonat e tjera rurale me të njëjtin problem.

 “Aktualisht po investohet në zonën e Ksamilit. Është një investim i qeverisë që konsiston në ngritjen e një depoje të re në skajin kundrejt Butrintit të Ksamilit. Një depo 1000 metro kubëshe. Rrjeti i dërgimit, tubacioni i dërgimit nga depoja ekzistuese në depon e re që do të ndërtohet dhe njëkohësisht dhe rrjeti shpërndarës në zonat ekstreme, të cilat kanë qenë problematike në vitet në vijim.

Me përfundimin e këtij investimi dhe shtimin e burimeve në puset e Çukës do të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me ujë i Ksamilit. Ne kemi bërë përpjekje me qeverinë për të bërë të mundur edhe përfundimin e fazës së dytë të investimit të bërë nga qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit në pjesën informale të qytetit“, është shprehur drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve në Sarandë, Sheme Lulo.

Investimi në zonën e Ksamilit, synon rritjen e kapacitetit prodhues dhe transmetues të furnizimit me ujë për të garantuar një sasi por edhe një cilësi më të mirë për banorët dhe vizitorët e zonës së Ksamilit, me vlerë 157 milion lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›