E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria jep 16 milionë lekë në ndihmë të zonave të përmbytura

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën një fond shtesë prej 16 milionë lekësh në ndihmë të zonave të përmbytura nga rreshjet.

Vendimi i propozuar nga Ministria e Brendshme u bazua në të dhënat e sjella nga prefekturat, bashkitë dhe komunat për dëmet e krijuara nga përmbytjet në fshatrat e Levanit dhe Novoselës nga Vjosa, në Gjirokastër edhe në Lezhë.

VENDIM

PËR NJË SHTESË FONDI PËR DHËNIEN E NDIHMAVE FINANCIARE, PËR PËRBALLIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA RESHJET E DITËVE TË FUNDIT.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 31 e 32, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, "Për emergjencat civile", të neneve 27 e 29, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", dhe të neneve 7 e 10, të ligjit nr.9339, datë 21.12.2004, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2005", me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2005, t'i shtohet fondi prej 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekësh, i cili të përdoret për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit, në disa njësi të qeverisjes vendore.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›