Qeveria kalon 80 apartamente në administrim të Bashkisë Tiranë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka vendosur sot kalimin e 80 apartamenteve në një ndërtesë banimi në administrim të Bashkisë Tiranë, në kuadër të masave për menaxhimin dhe trajtimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.
Vendimi, i miratuar me propozim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, parashikon transferimin e njësive të banimit sipas listës së inventarit të bashkëlidhur aktit, duke i kaluar ato zyrtarisht në përgjegjësinë e pushtetit vendor.
Sipas dokumentit, Bashkia Tiranë ngarkohet me administrimin e apartamenteve, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të mbikëqyrë zbatimin e vendimit në bashkëpunim me autoritetet lokale.
Vendimi është marrë në bazë të aktit normativ për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/gj.m/r.e/