Qeveria legalizon 4500 banesa informale dhe 132 leje shtesash
Përfituesit duhet të tërheqin formularin e pagesës
132 familje kryeqytetase përfitojnë të drejtën të legalizojnë shtesat e tyre pa leje të ndërtuara në objekte me leje të rregullt ndërtimi. Njoftimi është dhënë dje nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. ALUIZNI ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për 132 familje që janë poseduese dhe kanë vetëdeklaruar për qëllim legalizimi shtesat pa leje që ata kanë ndërtuar në objektet me leje në qytetin e Tiranes (kryesisht të njësisë nr. 1, nr. 5 dhe nr. 7).
Personat e listës së përcaktuar duhet të paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t për të tërhequr formularët e pagesave për shlyerjen e detyrimeve financiare të objekteve korresponduese me qëllim që të procedohet më tej me legalizimin e këtyre objekteve dhe regjistrimin e tyre. Gjithashtu, personat, të cilëve u janë dorëzuar faturat e pagesave të paraqesin vërtetimin për likuidimin e këtyre faturave (akt-pagesat origjinale të bankave ku ata kanë kryer pagesat). Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave ka përcaktuar kriteret, procedurat, por dhe formularin, i cili do të shërbejë për legalizimin e shtesave pa leje. Në bazë të këtij vendimi Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale lëshon lejen e legalizimit, për objektin /shtesën pa leje në ndërtime me leje, në 4 raste, përkatësisht kur: a) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor; b) objekti/shtesa pa leje në ndërtime me leje nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar; c) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është plotësuar dokumentacioni tekniko-ligjor, i parashikuar në nenet 27 e 37, të ligjit nr. 9482, 3.4.2006, të ndryshuar dhe ç) subjekti posedues ka shlyer pagesat e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 5, të vendimit nr. 1180, datë 3.12.2006, të Këshillit të Ministrave, Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit, të ndryshuar. Ndërkohë që për objektet që përjashtohen nga procesi i legalizimit, drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve, i dërgojnë njoftim me shkrim poseduesve të tyre, si dhe organeve të njësive të qeverisjes vendore, ku këto objekte gjenden. Me hyrjen në fuqi këtij vendim shfuqizohet dhe vendimi nr. 871, datë 27.12.2006, i Këshillit të Ministrave, Për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit. Për zbatimin e tij është ngarkuar Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Legalizimet, qeveria miraton 4500 emra
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për kalimin e pronësisë të parcelave ndërtimore tek poseduesit e objekteve informale. Në këtë vendim trajtohen 3789 parcela, me një sipërfaqe totale prej 1 487 643.55 m², për të cilat përfitojnë rreth 4500 familje. Në bazë të këtij vendimi në qarkun Tiranë janë përkatësisht 2197 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 045 311, 59 m², në qarkun Durrës, 529 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 188 580, 59 m²; në qarkun Shkodër, 203 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 40 384, 35 m²; në qarkun Lezhë, 102 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 27 778, 52 m² ndërsa në qarkun Berat, 59 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 19 066, 20 m². Përfitues do të jenë dhe disa familje nga qarku i Fierit për të cilin janë miratuar 13 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 449, 90 m². Po ashtu janë miratuar dhe parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 382, 14 m² në qarkun Korçës, 83 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 7 911, 99 m² në qarkun Dibër ndërsa në qarkun Elbasan, 367 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 87 570, 90(m². Në qarkun Gjirokastër janë miratuar 19 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 798, 30 m²; në qarkun Vlorë, 118 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 48 565, 70 m² dhe në qarkun e Kukësit janë miratuar 92 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 843, 37 m². Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ALUIZNI do të lidhë kontratat e kalimit të pronësisë me poseduesit e objekteve informale.