E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qeveria miraton afatet e pagesës së privatizimit për objektet e ish-ndërmarrjeve bujqësore

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton dokumentacionin, mënyrën e përllogaritjes së vlerës së pagesës së mbetur dhe afateve të shlyerjes së saj për objektet e ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat ka filluar procesi i privatizimit nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore.

Ky vendim nuk zbatohet dhe procesi i privatizimit nuk kryhet, kur: objekti është shembur dhe nuk ekziston; objekti apo trualli nën objekt janë pjesë e një procesi gjyqësor, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë.

Procedura për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat ka filluar ky proces, fillon vetëm me paraqitjen e kërkesës me shkrim nga subjektet e interesuara pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kërkesa përmban identitetin e kërkuesit, të dhënat e objektit për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit, kopje të kontratës së shitjes (nëse ka), mandate të pagesave të vlerës së plotë apo të pjesshme të privatizimit (nëse ka).

Dokumentacioni i kërkuar për përfundimin e procesit të privatizimit është: Akti i miratimit të privatizimit për objektin; llogaritja e vlerës së privatizimit; Kontrata e shitjes së objektit / truallit; Genplani apo planimetria e objektit/ truallit; Mandatet e pagesës së vlerës së plotë të objektit / truallit.

Për objektet, për të cilat janë shpalluar debitorë poseduesit aktualë, procesi i përfundimit të privatizimit vijon me pagesën e vlerës së plotë të objektit, sipas vlerës fillestare të kontabilizuar. Arkëtimi i pagesave të kësteve të mbetura nga vlera e privatizimit të objektit/truallit bëhet 100% në lekë.

Debitorët privatë, për objektet ndërtimore të kontabilizuara, “Për arkëtimin e detyrimeve financiare në ndërmarrjet në varësi të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB-ve”, shlyejnë detyrimet, sipas parashikimit të këtij vendimi. Afati i pagesës së vlerës së kësteve të mbetura pa paguar është 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i marrjes së faturës për arkëtim të lëshuar nga ministria përgjegjëse për bujqësinë.

Të ardhurat e përfituara nga ky proces kalojnë në buxhetin e shtetit.

Kur Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, në territorin e së cilës ndodhet objekti, nuk e administron praktikën e privatizimit apo mungojnë akte ose dokumente, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranon dokumentacionin origjinal nga subjekti i interesuar. Subjekti paraqet deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës merr përsipër përgjegjësinë për origjinalitetin dhe vërtetësinë e dokumentacionit të dorëzuar, që nuk ka transferuar të drejtat te të tretët, si dhe që titulli i pronësisë nuk është shpallur i pavlefshëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Gjatë kryerjes së procedurave administrative, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural verifikon në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës statusin juridik, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, nëse objekti i privatizuar apo trualli nën objektin e privatizuar është ende në pronësi shtetërore dhe nuk ka kaluar në pronësi të të tretëve.

Në rastet kur konstatohet se të drejtat për objektin e privatizuar apo trualli nën objektin e privatizuar janë transferuar te të tretët, procesi i kalimit të pronësisë realizohet në favor të tyre.

Ngarkohen ministria përgjegjëse për bujqësinë, ministria përgjegjëse për financat, ministria përgjegjëse për ekonominë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›