E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton kriteret për vlerësimin e kërcënimit dhe përcaktimin e dëmit në mjedis

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e kritereve zyrtare mbi bazën e të cilave do të bëhet vlerësimi i kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis, si dhe përcaktimi i dëmit mjedisor. Akti nënligjor, i propozuar nga Ministria e Mjedisit në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, synon zbatimin e masave të shpejta parandaluese dhe rehabilituese në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi i ri përcakton qartë kornizën ligjore për mbrojtjen e tri shtyllave kryesore mjedisore: habitateve dhe llojeve të mbrojtura, burimeve ujore (përfshirë ato detare) si dhe tokës.

Çfarë konsiderohet dëm mjedisor?

Sipas dokumentit zyrtar, si “dëm” do të analizohet çdo ndryshim negativ i matshëm në një burim natyror ose cënim i shërbimeve të tij. Në mënyrë të detajuar, vendimi kategorizon:

Dëmtimin e habitateve dhe llojeve të mbrojtura, çdo ndikim negativ në statusin e ruajtjes së tyre, marrë parasysh gjendjen e mëparshme.

Dëmtimin e ujërave, çdo përkeqësim i konsiderueshëm në statusin ekologjik, kimik ose sasior të ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe atyre detare.

Dëmtimin e tokës, çdo ndotje direkte apo indirekte me substanca ose mikroorganizma që krijon rrezik të provuar për shëndetin e njeriut.

Akti përcakton gjithashtu përjashtimet nga zbatimi, si rastet e konflikteve të armatosura, aktivitetet e mbrojtjes kombëtare, emergjencat natyrore apo incidentet e mbuluara nga konventat ndërkombëtare bërthamore e detare.

Rolet dhe procedurat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM)

Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar drejtpërdrejt Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). AKM do të kryejë vlerësimet rast pas rasti, duke u bazuar në të dhëna teknike, inspektime në terren, analiza laboratorike dhe raporte vetëmonitorimi.

Për përcaktimin e lidhjes shkakësore mes veprimtarisë së një operatori ekonomik dhe dëmit të shkaktuar, AKM do të marrë parasysh afërsinë gjeografike, lidhjen kohore të emetimeve, si dhe praninë e rrugëve të përhapjes së ndotjes.

Sipas procedurës së re, lidhur me vendimmarrjen për kërkesat, AKM duhet të njoftojë palët brenda 10 ditëve punë mbi pranimin ose refuzimin e një kërkesë për veprim.

Përpara miratimit të masave rehabilituese, AKM do të ftojë brenda 7 ditëve punë operatorët dhe pronarët e tokave ku do të ndërhyhet për të paraqitur vëzhgimet e tyre.

Në rastet kur dëmi mjedisor rrezikon të prekur territorin e një shteti fqinj, AKM detyrohet të njoftojë menjëherë autoritetet përkatëse jashtë vendit.

Vendimi shton se masat e ndërmarra nga autoritetet shtetërore nuk e shmangin dhe as nuk e kufizojnë përgjegjësinë ligjore e financiare të operatorëve privatë apo publikë për dëmin e shkaktuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›