E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton rregullat e reja për gjurmueshmërinë e kanabisit mjekësor dhe industrial, ja si do të funksionojë sistemi

Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi një vendim të rëndësishëm që përcakton rregullat e detajuara për gjurmueshmërinë, shenjimin dhe monitorimin e bimës së kanabisit të destinuar për qëllime mjekësore dhe industriale. Nisma, e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të vendosë nën një kontroll të rreptë digjital çdo etapë të kësaj industrie.

Sipas këtij vendimi, çdo bimë, nënprodukt apo produkt përfundimtar do të pajiset me elemente të sigurisë së lartë për të shmangur çdo abuzim të mundshëm ose kalim në tregun e zi.

Siguria publike dhe bllokimi i tregut të paligjshëm

Baza e këtij vendimi është ngritja e një sistemi të pakalueshëm kontrolli që nis nga fara e deri te produkti final. Duke përcaktuar qartë qëllimin e këtij kuadri të ri rregullator, në vendim theksohet se ky proces synon “të garantojë gjurmueshmërinë e plotë të materialeve të shenjuara të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, nga importi i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor deri në eksport, konfiskim ose asgjësim, duke përfshirë shenjimin (serializimin) dhe identifikimin unik, regjistrimin në kohë reale të ngjarjeve dhe zinxhirin e dokumentuar të posedimit, me synim pajtueshmërinë, mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e devijimit/infiltrimit të paligjshëm.”

Gjurmueshmëria do të realizohet nëpërmjet një sistemi qendror, i cili do të dokumentojë në kohë reale çdo ndryshim statusi, lëvizje fizike apo proces përpunimi të kryer nga subjektet e licencuara.

Teknologjia e shënjimit, NUI, Barkod dhe RFID

Për të realizuar këtë monitorim të detajuar, shteti i ka besuar procesin e shenjimit shoqërisë “ALBTrace CO”, sh.a. Kjo kompani do të prodhojë etiketat inteligjente me të cilat do të pajiset çdo bimë ose ambalazh.

Sistemi do të bazohet në Numrin Unik Identifikues (NUI) dhe teknologjinë RFID (Identifikimi me Frekuencë Radio), që lejon leximin e të dhënave në distancë, madje edhe përmes dronëve për sipërfaqe të mëdha. Lidhur me sigurinë fizike të vetë etiketës, vendimi specifikon:

“është unike, e pareplikueshme, nuk mund të hiqet pa u shkatërruar, si dhe nuk mund të rivendoset pas heqjes.”

Këto etiketa do të ndahen me ngjyra të ndryshme në varësi të qëllimit të kultivimit (mjekësor, industrial për lule, ose industrial për farë/fibër) dhe duhet të jenë rezistente ndaj kushteve atmosferike, ujit dhe rrezeve UV.

Kush e kontrollon sistemin?

Vendimi bën një ndarje të qartë mes administrimit teknik të platformës dhe pronësisë mbi të dhënat. Ndërsa “ALBTrace CO”, sh.a. do të garantojë funksionalitetin dhe sigurinë kibernetike të sistemit, pronësia mbi informacionin i kalon shtetit.

Për rolin e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, vendimi përcakton qartë se “është administrator i vetëm i të dhënave që mban sistemi apo gjenerohen prej tij, si dhe ka akses të plotë për miratimin e veprimeve në sistem lidhur me menaxhimin e të dhënave.”

Sipas dokumentit, ofruesi teknik i sistemit nuk mund të fshijë apo të modifikojë asnjë të dhënë pa autorizimin paraprak të Agjencisë. Çdo veprim i kryer nga subjektet në sistem do të ruhet dhe do të jetë i auditueshëm për një periudhë deri në 20 vjet pas përfundimit të licencës.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, shfuqizohet një vendim i mëparshëm i korrikut 2025, duke i hapur rrugë zbatimit të menjëhershëm të këtij protokolli të ri dhe rigoroz për monitorimin e industrisë së kanabisit të ligjshëm në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›