Qeveria miraton strategjinë për administratën publike
Berisha: Ritmet e integrimit në Bashkin Evropian përcaktohen nga reformat në administratë
TIRANË- Deklarata e disa ditëve më parë e Kryeministrit Sali Berisha se me fillimin nga puna të qeverisë do të ndërmerret reformë në administratën publike, ka filluar të zbatohet.
Nisur kjo edhe nga detyrimet që ka vendi për rritjen e eficencës së administratës publike e cila sipas Kryeministrit është një përcaktues i rëndësishëm për integrimin në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave miratoi dje gjatë mbledhjes së radhës Strategjinë për Administratën Publike për vitet 2009-2013, në të cilën parashikohen një serë reformash që duhen përmbushur.
"Administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimit civil, si shërbimi më kompetent, me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet," - tha Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se, asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit europian, sesa aftësia dhe fuqia reformuese e administratës.
Shtysa kryesore për qeverinë që të miratojë këtë strategji ka qenë fakti se sipas Kryeministrit së vendi do të përballet me pyetësorin, nga Komisioni Evropian, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performanca e administratës dhe qeverisë
"Janë me qindra e me mijëra problematikat që do të negociohen me Komisionin Europian, me vendet anëtare gjatë viteve që vijnë. Shpresojmë se së shpejti, ne do të marrim pyetësorin, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performanca e kësaj administrate dhe e kësaj qeverie.
E vërteta është se asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit europian, sesa administrata e vendit, aftësia dhe fuqia reformuese e saj",- tha Berisha.