Qeveria miraton vendimin për dhënien e një ndihme financiare fondacionit “Refugees International” në kujtim të veprës së diplomatit të shquar amerikan Richard Holbrooke

Duke vlerësuar figurën dhe veprën e diplomatit amerikan Holbooke, Kryeministri u shpreh në mbledhjen e Këshillit te Ministrave se ai me angazhimin e tij personal në emër të qeverisë amerikane dha një kontribut të madh në ridimensionim e domosdoshmërisë së zgjidhjes së problemit të Kosovës, si një kusht kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
“Një vendim tjetër që do të miratojmë është një kontribut modest financiar në “Refugees internacional”, në nderim dhe kujtim të veprës së diplomatit të shquar amerikan, mikut të shqiptarëve Richard Holbrook, i cili u nda nga jeta pak javë më parë, si një nga personalitetet më të shkëlqyera, më të shquara të diplomacisë amerikane dhe asaj botërore, por dhe si një nga të dërguarit e presidentit Klinton për Ballkanin që me aftësitë e tij të mëdha, personalitetin e tij, vizionin kontribuoi në mënyrë thelbësore në paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Arkitekt nga më kryesorët i marrëveshjes së Dejtonit, Richard Holbrook në vitet 97-98 do të ishte njëkohësisht një nga protagonistët kryesorë të zgjidhjes së krizës së Ish-Jugosllavisë në Kosovë.
Me angazhimin e tij personal, në emër të qeverisë amerikane, udhëtimin në zonat më të rrezikshme edhe të luftime ai dha një kontribut të madh në ridimensionim e domosdoshmërisë së zgjidhjes së problemit të Kosovës, si një kusht kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Familja e tij ka lënë një listë fondacionesh ku mund të bëhen kontribute. Qeveria ka përzgjedhur “Refugees International”, në kujtim të veprës së Richard Holbrook.
17/02/2011