E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria në test

Në prag të vizitës vlerësuese të stafit të FMN’së në Kosovë, qeveritarët shpresojnë ta rikthejnë besimin në këtë mekanizëm ndërkombëtar. Kusht i FMN`së është sigurimi i 300 milionë eurove për stabilitet buxhetor. Njohësit e ekonomisë janë skeptikë se institucionet e Kosovës do ta kalojnë testin. Nga Zekirja Shabani më 08 shtator 2011 në ora 08:06

Debati për ekonominë e Kosovës po kthehet në qendër të vëmendjes. Për një kohë telashet e sigurisë dhe ato politike në veri të Kosovës i patën lënë nën hije diskutimet për këtë çështje.

Por një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar të enjten (sot) me të zbarkuar në Kosovë fillon vlerësimin për qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Ata që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e financave publike po shpresojnë t’i bindin zyrtarët e FMN’së se i kanë përmbushur me përpikëri obligimet e marrëveshjes për monitorim dhe se do të hyjnë prapë në program financiar me Fondin.

E, njohësit e ekonomisë janë skeptikë se institucionet e Kosovës do ta kalojnë testin e parë, rikthimin e besimit te ky mekanizëm ndërkombëtar.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Gazmend Qorraj thotë se ekzistojnë disa kushte strukturore të cilat rrezikojnë seriozisht që të mos përmbushen obligimet e parapara. Shitja dhe inkasimi i parave nga Posta dhe Telekomi i Kosovës, sipas tij, është sfida kryesore e Qeverisë.
“Mosinkasimi i të hyrave të parapara buxhetore mund ta sjellë buxhetin e Kosovës në një pozitë të palakmueshme në fund të këtij viti”, vlerëson Qorraj.

Në bazë të Programit të monitoruar nga Stafi i FMN’së, Qeveria e Kosovës duhet me çdo kusht të sigurojë 300 milionë euro për stabilitet buxhetor, për të mbuluar deficitin.

Megjithëse misioni i tanishëm i FMN’së që do ta vizitojë Kosovën do të ketë për qëllim harmonizimin e plotë të projeksioneve buxhetore për vitin 2012, telashet e këtij viti që mund të reflektohen në tremujorin e fundit për mungesë të mjeteve, sipas ekonomistëve, mund të reflektojnë edhe në vitin e ardhshëm.

“Kjo natyrisht mund të ketë ndikim negativ ekonomik, pasi që pjesa e shpenzimeve buxhetore do jetë më e vogël se plani në fillim të vitit. Gjithashtu, iniciativat e reja për autostradën në drejtim të Shkupit dhe për Ligjin e fondit të sigurimit shëndetësor duhet të dakordohen nga FMN’ja para se të ecin më tutje dhe Qeveria duhet të ketë kujdes të shtuar”, pohon Qorraj.

Por, të dhënat e gjashtëmujorit të fundit të buxhetit, për Ministrinë e Financave janë shpresuese megjithëse nuk duket të jenë pikërisht ashtu qysh parasheh marrëveshja e Programit të monitoruar nga stafi i FMN-së.
Shpenzimet e përgjithshme buxhetore në fund të qershorit ishin 534 milionë euro, ndërkaq FMN’ja kishte parashikuar të jenë 537 milionë euro. Bilanci bankar ishte 340.9 milionë euro, për dallim nga parashikimi që thuhej se pragu minimal i bilancit bankar është 249 milionë euro.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini thekson se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje deri në fund të muajit qershor 2011 dhe vazhdon implementimin e proceseve edhe politikave që parashihen për përmbushjen e kritereve strukturore dhe atyre të matshme për muajt shtator dhe dhjetor.

Vizita e së enjtes, sipas tij, do të ketë për fokus më tepër buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa në vizitën e dytë që pritet të jetë gjatë muajit nëntor, do të diskutohet kryesisht për të arriturat e objektivave të marrëveshjes.
E nëse këto vlerësime janë pozitive, Kosova tek vitin tjetër do të hyjë në negociata financiare me FMN’në.

“Vlerësimi i programit në tërësi pritet të ndodhë brenda tremujorit të parë të vitit 2012. Ashtu siç e kemi thënë disa herë deri më tani, vlerësimi pozitiv i tërë programit SMP, do të hapte rrugë për nënshkrimin e programit të mundshëm Stand By Arrangment, gjatë vitit 2012, i cili parasheh disbursim të fondeve si ndihmë direkte buxhetore”, thotë Shahini.

Megjithatë, ai nuk premton se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do t’i ketë Kosova në llogari mjetet e premtuara të FMN’së.

Pas ndërprerjes së marrëveshjes 18-mujore në korrik të 2010’ës me Fondin, për shkak të mosbindjes ndaj këtij institucioni, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje stabilitetin ekonomik të vendit, duke mos mundur t’i alokojë mbi 100 milionë euro në buxhet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›