E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, reflektim (dhe spastrim)/ Rama, takim i zgjeruar me ministra e deputetë

Nis spastrimi. Rama kërkon kokat e administratës.

Në një mbledhje të zgjeruar me ministrat dhe drejtuesit politikë të PS, për t’u vendosur para një liste me emrat e drejtorëve qendrorë dhe rajonalë, qofshin ato agjencish apo drejtori në varësi të ministrive që duhet të dorëhiqen. Nga kjo fshesë, bëjnë përjashtim Policia e Shtetit, e cila nuk ka luksin për ndryshime në këto ditë të vështira dhe të paparashikueshme për uniformat blu, po ashtu arsimi dhe shëndetësia.

Në mbledhjen 2 orë në Kryeministri, Rama ndau detyrat, ministrat duhet t’u kërkojnë dorëheqjen drejtorëve të tyre, kurse drejtuesit politikë të PS të dalin në terren për të sqaruar operacionin e pastrimit në administratën publike.

ABC News mëson se dorëheqjet e drejtorëve kanë filluar pa kundërshtime deri tani. Kjo kthesë e fortë, por e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, vjen një ditë pas ngritjes zyrtare të Ministrisë për Administratën Publike me në krye Adea Pirdenin.

Por drejtorët kanë qenë në shënjestër të Ramës prej momentit kulminant të revolucionit të flamingove.

Kryeministri në korrik tha se flamingot, të paktën, shërbyen për të hapur sytë se kush janë drejtorët.

“Ajo pasqyrë na mësoi diçka. Mungesa e empatisë së zyrtarëve të shtetit është bërë e padurueshme, arroganca e njerëzve pa gjak që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës dhe fytyrën e kanë të parkuar në vend të prapanicës, dhe këtu nuk po flas për ata që kërkojnë para se do kërkonte një fjalim tjetër kjo.” u shpreh Rama, pak ditë me parë

Një muaj më vonë, gjatë retreatit në Pogradec, ku kryeministri Edi Rama në një prej ditëve ftoi edhe drejtorët kryesorë dhe artikuloi të njëjtat shqetësime në takim me dyer të mbyllura, u zbulua për herë të parë Pasqyra Albania.

Në këtë pasqyrë dixhitale, qytetarët shprehin ankesën e tyre, ankesa gjurmohet brenda 48 orëve, kurse institucionet publike me në krye këta drejtorë do të duhet të kthejnë përgjigje e të zgjidhin problemet në një afat brenda dy javësh, në rast të kundërt do të mbajnë përgjegjësi.

Në fillim, Pasqyrën e mori seriozisht vetëm kryeministri Edi Rama dhe, mesa duket, drejtorët po mbajnë përgjegjësi, duke humbur karrigen e tyre.

Por ky me gjasë është vetëm fillimi i spastrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›