Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan Memorandumin e Politikave Ekonomike dhe Financiare. Ky dokument u firmos sot, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN në S
Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan Memorandumin e Politikave Ekonomike dhe Financiare. Ky dokument u firmos sot, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN në Shqipëri, Ann Margaret Westin, nga Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.
Pas nënshkrimit të Memorandumit, Kryeministri Berisha dhe Zonja Ann Margaret Westin theksuan:
Kryeministri Berisha: Shfrytëzoj rastin për të falenderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, në përpjekjet e saj për të konsoliduar stabilitetin makroekonomik dhe reforma të tjera të rëndësishme. Dëshiroj të garantoj FMN-në se ne, me të njëjtin seriozitet që qeveria që unë kryesoj zbatoi marrëveshjen e vitit që kaloi, do t'i qëndrojmë edhe marrëveshjes së këtij viti, të bindur se ky është interesi më i mirë publik i qytetarëve shqiptarë.
Unë parashikoj një vit shumë të mbarë për ekonominë shqiptare. Reformat e ndërmarra vitin që shkoi presin këtë vit që të japin frytet e tyre. Reforma të tjera të rëndësishme do të ndërmeren, në krye të të cilave do të vendosja luftën kundër informalitetit, konsolidimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit, përmirësimin në tërësi të klimës për biznesin dhe investimet. Marrëveshja që sapo nënshkruam përbën një dokument shumë të rëndësishëm, që ndihmon në realizimin e këtyre objektivave.
Edhe njëherë, dua të falënderoj zonjën Ann Margaret, ekipin e saj në Shqipëri, zotin Istvan Szekely, bashkëpunëtorët e tij në Washington dhe të gjithë ata të cilët, me përkushtimin e tyre, bënë të mundur nënshkrimin e kësaj marëveshjeje.
Një falënderim të veçantë dua t'u bëj drejtuesve të institucioneve shqiptare, Ministrisë së Financave, Bankës Shqiptare dhe të gjithë atyre që, me përkushtimin e tyre, kanë bërë të mundur që Shqipëria të përmbushë detyrimet, ashtu si vitin që shkoi dhe bënë të mundur që të nënshkruhet kjo marrëveshje. Falënderoj, jo vetëm drejtuesit, por të gjithë ekspertët, specialistët, punonjësit, të cilët kanë bërë punë shumë të madhe. Të gjithëve një vit të ri të gëzuar.
Znj. Ann Margaret Westin: Jemi të kënaqur që nënshkruajmë sot marrëveshjen e tretë me Shqipërinë, e cila në 2 shkurt do të kalojë në Bordin Ekzekutiv. Ne presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me ju edhe për dy vitet e ardhshme, në mënyrë që të finalizojmë programin. Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë vetë pas këtyre dy viteve.
Përfitoj nga rasti të falënderoj autoritetet shqiptare për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm. Ekipet tona po punojnë mjaft mirë. Dëshiroj t'ju uroj ju, zoti kryeministër, qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë gjithë të mirat për të ardhmen.
Pyetje: Të gjithë e dimë që stabiliteti ekonomik kërkon edhe qëndrueshmëri politike. Prej muajsh ne po përjetojmë një krizë e cila nuk po zgjidhet, për zgjedhjet vendore. Sa do të ndikojë kjo në ecurinë e reformave, përmes të cilave ju keni nënshkruar edhe marrëveshjen?
Znj. Westin: Krizat politike sigurisht që nuk i ndihmojnë asnjëherë reformat e një vendi. Por kur një vend e gjen veten në situata të tilla, ai duhet të dalë prej saj. Unë jam në vendin tuaj prej rreth një viti e gjysëm dhe kam vënë re se ndërsa progresi ekonomik po ecën shumë mirë dhe të gjitha palët politike janë dakort për rëndësinë e stabilitetit makroekonomik të vendit, ekzistojnë ende mosmarrëveshje të mprehta politike përsa i përket mënyrës sesi duhen çuar gjërat përpara. Puna jonë përqëndrohet në aspektin ekonomik dhe jemi shumë të kënaqur me atë çka po ndodh dhe me lëvizjet që kanë ndërmarrë politikanët dhe autoritetet. Në Shqipëri ka organizata të tjera ndërkombëtare që janë të përfshira në procesin politik, të cilat nxisin palët politike të bisedojnë me njëra-tjetrën. Në këtë kuadër, ne, gjithashtu, i bashkangjitemi këtij zëri, i cili u rekomandon dhe u kërkon palëve politike të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje. Kjo është e vetmja rrugë.
Pyetje: Sa ndikon kriza aktuale energjitike në ecurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe në arritjen e këtyre marrëveshjeve?
Kryeministri Berisha: Ne po bëjmë përpjekje shumë të mëdha për zbutjen e saj. Siç po shikoni, ka një janar pranveror, i paparë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, ka një New York pranveror, pra, është një klimë nga më të pazakontat. Shqipëria është tërësisht e varur nga energjia hidrike. Këto ditë, qeveria, pavarësisht se çfarë thonë vajtorët e errësirës, është duke dyfishuar importin e energjisë elektrike. Një strategji, e cila do ta shkëpusë Shqipërinë nga mungesa e dritave, një konstante e gjithë këtyre viteve, do të zbatohet gjatë vitit që vjen. Natyrisht kjo rrit koston e prodhimit. Por kjo është e përkohshme dhe ne jemi optimistë se do ta kapërcejmë.
Zonja Westin: Sigurisht që një krizë energjitike, ashtu sikurse një krizë politike, mund të ndikojnë mbi rritjen ekonomike. Kjo është arsyeja që një vit më parë ne ulëm parashikimin për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2005-2006. Siç u vu re, ndërsa kriza energjitike pati një impakt, i cili u arrit të kalohej, faktorë të tjerë kanë luajtur rol pozitiv dhe, sot për sot, ne nuk kemi asnjë dyshim mbi objektivat që duhen arritur. Unë do të thoja të njëjtën gjë për vitin 2007, por, megjithatë, nuk ka asnjë dyshim për rritjen me 6 përqind, sepse ekonomia shqiptare është ekonomi dinamike. Më lejoni të shtoj dhe diçka të fundit, përsa i përket krizës energjitike, megjithëse autoritetet po bëjnë përpjekjet maksimale, problemet janë të mëdha.