E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria sytë nga bujqësia, Berisha në Kavajë: Më shumë subvencione

Më shumë subvencione për bujqësinë në vitet në vazhdim. Ky ka qenë premtimi i kreut të qeverisë shqiptare gjatë një inspektimi në plantacionet e ullirit në komunën e Gosës në Kavajë. Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu mbështetje për infrastrukturën bujqësore.
 

"Në këto vite ne kemi bërë gjithçka që projektet e mëdha kombëtare të ullirit, të arrorëve, drurëve frutore të ecin me shpejtësi të madhe. Ne besojmë se potencialet tona janë shumë të mëdha. Ne kemi një potencial për të arritur shumë shpejt në 20 milion rrënjë ullinj nga 4.2 milion që kishim pak vite më parë. Kemi një potencial për të ecur më pas me 50 milion rrënjë ullinj në të gjithë zonën ku bëhet ulliri në Shqipëri dhe për tu bërë një prodhues i konsiderueshëm, për të kapur së pari tregun shqiptar dhe tregun rajonal", u shpreh kryeministri
 

Kreu i mazhorancës nuk ka lënë pa ironizuar edhe kreun e Partisë Socialiste.Sipas Berishës, Rama di vetëm të akuzojë.
 

"Ne mbjellim ullinj, shoku akuzon, ne ndërtojmë shkolla, shoku turfullon dhe akuzon, ne ndërtojmë rrugë, qahet dhe akuzon, ne ndërtojmë kanalizime e ujëslljellësa dëshpërohet dhe akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon, nuk di çfarë thotë. Përgjigja jonë është, shoku akuzator vazhdo akuzat, ne do vazhdojmë veprat, do vazhdojmë punën do të mbjellim ullinj, do ndërtojmë rrugë, do ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë kanalizime, do të ndërtojmë ujësjellësa. Ne do të bëjmë çdo ditë, do të shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm në ndryshimin e këtij vendi në ecjen e tij drejt një vendi të zhvilluar", u shpreh ai.
 

Qeveria ka subvencionuar në Komunën e Gosës në Kavajë rreth 70 hektar me ullinj ku kanë përfituar rreth 100 fermerë me një fond prej rreth 200 mijë dollarë. Ndërsa në qarkun e Tiranës gjatë viteve 2007 - 2012 nga subvencionet kanë përfituar rreth 1500 fermerë me një fond prej mbi 3 milionë dollarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›