Qeveria të mos fshihet si struci, la Shqipërinë pa sovranitet territorial
Opozita: Partia Socialiste ka paraqitur një nismë për rikthimin në fuqi të ligjit për kufijtë shtetërorë. Nisma është shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë
24 maj: Nisma e opozitës, e amenduar me konsensus, pritet të votohet në seancën plenare të datës 24 maj. Në të parashikohet rishqyrtimi i ligjit të vitit 2011
Pashaj: Myslym Pashaj, një nga ekspertët e fushës, shprehet se nisma e PS-së nuk i zbut rreziqet, por lë hapësirat që të bëhet një pakt tjetër, në kurriz të Shqipërisë
Kuvendi duhet të miratojë një ligj të ri për kufijtë detarë
Zona ekonomike, pjesa kryesore e ligjit për kufijtë detarë të RSH sot nuk ka të deklaruar kufij të detit territorial dhe nuk ka marrëveshje me fqinjët
Piro Lutaj*
Më në fund, mazhoranca po e kupton se çfarë dëmi i ka shkaktuar vendit, me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 19.4.2001, Për kufirin shtetëror të RSH, i cili lejoi negocimin në dëm të interesave kombëtare të RSH me Greqinë. Opozita dhe të tjerë aktorë të fuqishëm të shoqërisë civile e kanë denoncuar këtë marrëveshje, si një akt të rëndë në dëm të integritetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë. Iniciativa e Partisë Socialiste për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, rezultoi e drejtë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i mbylli derën një akti të paprecedentë. Edhe sot është po Partia Socialiste dhe shoqëria civile, të cilët po i kërkojnë qeverisë të bëjë riparimet e nevojshme të legjislacionit që i parapriu kësaj marrëveshjeje.
Një ligj i plotë për kufirin detar është i domosdoshëm për rivendosjen e sovranitetit të humbur të Shqipërisë në det. Nisma e marrë nga Partia Socialiste është në kushtet e errësirës së plotë që institucionet e shtetit tonë, si Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes e kanë lënë jo vetëm opinionin publik, por edhe Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për këtë çështje. Iniciativa e Partisë Socialiste për rikthimin në fuqi të neneve 3 dhe 4 të ligjit 8771, datë 19.4.2001, Për kufirin shtetëror të RSH është për tu përshëndetur, sepse ajo rivendos situatën juridike detare, e cila është cenuar nëpërmjet ndryshimit të ligjit në vitin 2008.
Hartimi i një ligji të plotë, përveç iniciativës legjislative, kërkon një punë të mirëfilltë shkencore, sidomos në skicimin e një vije të drejtë, bazë ligjore dhe të pranueshme, por edhe të një ligji bashkëkohor. Kjo duhet të jetë objekt i punës i institucioneve kërkimore dhe shkencore, si dhe njohësve të së drejtës detare. Me sa jam në dijeni, Forcat Detare e kanë bërë një punë të tillë, por projekti që ato kanë paraqitur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është mbajtur në sirtar.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes, u shpreh se Republika e Shqipërisë i ka të identifikuar kufijtë e saj dhe të gjitha institucionet, që janë të ngarkuara me ligj për të kontrolluar, monitoruar dhe menaxhuar kufijtë veprojnë mbi bazën e kësaj vije kufitare. Neni 15, 76 dhe 83 i UNCLOS 1982 përcaktojnë qartë se kufijtë detarë midis shteteve bregdetare realizohen me marrëveshje në përputhje me nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shqipëria deri sot ka vetëm një marrëveshje me Italinë për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe asnjë marrëveshje për delimitimin e kufijve të detit territorial.
Kështu, Republika e Shqipërisë nuk ka kufij detarë të delimituar, pra nuk ka kufij detarë të përcaktuar me marrëveshje, por nuk ka më as vijë të drejtë bazë dhe det të brendshëm, det territorial, zonë ekonomike ekskluzive, shelf kontinental, hapësirë ajrore etj. Me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 19.4.2001, Për kufirin shtetëror të RSH, Republika e Shqipërisë ka hequr dorë nga ushtrimi i sovranitetit dhe të drejtave sovrane në të gjitha hapësirat detare që i takojnë sipas së drejtës ndërkombëtare. Shfuqizimi i ligjit 8771, datë 19.4.2001 Për kufirin shtetëror të RSH ka bërë që Shqipëria të hyjë pa një bazë ligjore për negocimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe të delimitojë hapësirat detare ku ajo nuk ushtron sovranitet.
Me miratimin e ligjit 9861, datë 24.1.2008, Për kontrollin dhe monitorimin e kufirit, autoritetet e shtetit shqiptar, në mënyrë të vullnetshme, kanë hequr dorë nga integriteti territorial detar në një sipërfaqe prej rreth 10.000 km² dhe një sipërfaqe ku ushtron të drejta sovrane rreth 6.000 km², të cilat përbëjnë rreth 60% të territorit tokësor. Ky veprim i parapriu marrëveshjes negociuese në dëm të interesave kombëtare.
Kur Saliu thyente rekordet e notit në Detin Jon, kishte kaluar kufirin shtetëror dhe notonte në hapësirë ndërkombëtare. Çdo shqiptar duhet ta dijë se kur fut këmbët në det ka kaluar kufirin dhe është duke u larë në ujërat ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes janë në dijeni të asaj se çfarë i kanë shkaktuar Shqipërisë me shfuqizimin e ligjit 8771, datë 24.1.2001, Për kufirin shtetëror të RSH dhe Marrëveshjen Detare me Greqinë. Ekspertët më të mirë që ka Shqipëria dhe që nuk kanë qenë pjesë e negociatave, apo ekspertë të shoqërisë civile, kanë folur hapur dhe zyrtarisht për situatën detare që është krijuar. Mungesa e vullnetit për të pranuar këtë situatë nga qeveria po krijon një precedent të ri për të bërë arnime dhe jo për të rivendosur situatën juridike detare të humbur pas vitit 2008.
E drejta ndërkombëtare e detit dhe Shqipëria
Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) u negociua për gati 14 vjetësh rresht. Shqipëria ka qenë pothuajse palë gjatë fazës fillestare të negocimit, por Shqipëria nuk mori pjesë në Montego Bay të Xhamajkës për të firmosur konventën. UNCLOS 1982 hyri në fuqi në nëntor të 1994-s dhe sot është e firmosur nga më shumë se 150 shtete të botës. RSH e ratifikoi këtë konventë me ligjin nr. 9055, datë 24.04.2003, Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit. RSH nuk ka dorëzuar ende instrumentin e ratifikimit te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe në aktin e ratifikimit nuk ka deklaruar asnjë objeksion mbi UNCLOS 1982. SHBA-ja ka qenë një nga kontribuuesit dhe investuesit kryesorë të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) duke e firmosur atë më 10 dhjetor 1982, në Montego Bay të Xhamajkës. Por SHBA-ja nuk e ka ratifikuar ende konventën, për shkak të pakënaqësive që lidhen me shfrytëzimin e burimeve minerare të nëntokës së fundit të detit. Megjithatë, UNCLOS 1982 është pranuar nga qeveria e SHBA-ja gjatë qeverisjes së Presidentit Klinton. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) nuk është akti ndërkombëtar, i cili përcakton kufijtë detarë të shteteve, por ajo përcakton parimet bazë mbi të cilat shtetet, nëpërmjet legjislacionit kombëtar dhe marrëveshjeve të veçanta midis tyre bashkëpunojnë në mënyrë aplikative dhe në frymën e kësaj konvente. Në hyrjen e saj, UNCLOS 1982 shprehet se Konventa është shumëdimensionale dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar, në procesin e hartimit të traktateve.
UNCLOS 1982 përcakton se shteti bregdetar ushtron sovranitet dhe të dre
