E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qeveria të zbardhë lejet për 6 hidrocentrale të Tartarit"

Deputeti Erjon Braçe tha se brenda 3 muajve, Berisha ka marrë 2 vendime antiligjore për dhënien e pasurisë kombëtare


TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, vlerësoi dje se procesi i dhënies me koncesion të pasurive kombëtare është thellësisht i errët, jo transparent dhe ka nevojë për dritë. Në një komunikim për mediat, ai kërkoi publikimin e menjëhershëm të çdo kontrate të lidhur për dhënie me koncesion të pasurive kombëtare, për të parë qartë përfituesit, vlerat, detyrimet, përmbushjen e tyre në bazë të ligjit.


"Duke nisur nga kontratat për dhënien me koncesion të pasurive kombëtare për ndërtimin e jo një, por 6 hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq, me përfitues kompaninë ALBAENERGIAPLUS, me pronar shtetasin Arian Tartari. Ky është vendimi dhe ky nuk mjafton, prandaj ne kërkojmë publikimin e kontratës së lidhur mes ministrisë se Ekonomisë dhe shtetasin në fjalë për të parë gjithë shqiptarët, se si jepen politikisht 6 hidrocentrale, për t'u ndërtuar brenda 1 dite", deklaroi Braçe.


Zyrtari socialist solli në vëmendje se qeveria e kryeministrit Sali Berisha, përmes zyrtarit përgjegjës-Ministrit të Ekonomisë, ka lajmëruar një valë të re, të dytë, të dhënies së pasurive kombëtare publike me koncesion.


Doemos, vijoi ai, vlera e pasurisë kombëtare vënë në dispozicion përmes kontratave koncesionare, kalon 1.2 mld usd. Sipas tij, kur flitet për vlera të tilla, ligjshmëria, transparenca e konkurrueshmëria në procedura, eficenca e përdorimit të burimeve kombëtare, duhet të jenë parimet bazë.


Deputeti theksoi se brenda tre muajve, kryeministri Sali Berisha, ka marrë dy vendime që rrëzojnë parimet e ligjshmërisë, transparencës, konkurrueshmërisë dhe eficencës, forcojnë karakterin klientelist, ekskluziv, korruptim, të procesit të dhënies së pasurive kombëtare me koncesion.


"Vendimi i parë është ky: vendim i datës 16.06.2010 që rrëzon vendimin e parë të Sali Berishës, të vitit 2007, që miratonte "rregullat e vlerësimit e të dhënies së koncesioneve. Vendimi i dytë: i datës 13.08.2010 që rrëzon vendimin e parë të Sali Berishës, të vitit 22.03.2007, që miratonte "vendosjen e oponencës teknike shtetërore për projektet e ndërtimit të HC, me koncesion", deklaroi Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›