E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me armë i riu në ish- bllok

Marinelo Llazi, 23 vjeç, nga Alliasi, mori plagë të rënda nga dy të shtëna me pistoletë. Ende nuk dihen shkaqet


TIRANE- Një person mbeti i plagosur rëndë me dy plagë në trup një prej të cilave në kokë, dje në mbrëmje në rrugën "Ismail Qemali", rreth 50 metra poshtë kryqëzimit të kësaj rruge me rrugën "Vaso Pasha".


Marinelo Llazi, 23 vjeç, banues në Allias, u qëllua dy herë me pistoletë në kofshë dhe në trup nga një person i paidentifikuar. I plagosuri u nis menjëherë në drejtim të spitalit ushtarak, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa sipas burimeve të policisë, mësohet se i dëmtuari ka marrë një plumb në kokë dhe një në trup, nga të shtënat me një arme zjarri pistoletë.


Menjëherë sapo është dërguar në spitalin ushtarak, i plagosuri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve të rënda të marra. Pikërisht nga dy plagët me armë zjarri, rrugës për në spital viktima ka humbur shumë gjak, çka ua vështirësoi edhe më tepër punën mjekëve në spital.


Ndërkaq, dëshmitarë të ndryshëm thanë se viktima ishte qëlluar nga një person që mendohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të markës "Ford", me ngjyrë të bardhë targat e së cilës nuk diheshin nga policia. Në vendin e ngjarjes mbërritën me shpejtësi shërbime të policisë së komisariatit nr.2, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.


Me shpejtësi grupet e gatshme dhe patrullat e policisë shoqëruan disa persona në ambientet e tyre, por se personi i dyshuar për ngjarjen kishte mundur të largohej me shpejtësi më parë.


Nga hetimet paraprake të kryera nga policia gjatë mbërmjes së djeshme, mendohet se sherri ka nisur në një pikë bastesh pranë vendit të ngjarjes ndërsa është agravuar më pas.


Dy personat janë parë nga dëshmitarë të ndryshëm në oborrin e një pallait tre katësh në rrugën "Ismail Qemali". Autori ka qëlluar viktimën dy herë në trup dhe krismat janë dëgjuar në zonën për rreth, ndërsa gjurmë gjaku janë vërejtur nga vendi i dyshuar i ngjarjes, pranë kryqëzimit të rrugës "Ismail Qemali", me rrugën "Vaso Pasha".


Ndërkaq grupet e gatshme të drejtorisë së Tiranës, kanë shoqëruar në ambientet e tyre disa persona, ndërsa blutë pohuan se po punohej për shkaqet e ngjarjes. Ndërkaq, në spitalin ushtarak, i plagosuri pas ndërhyrjes së mjekëve mësohet se ishte jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se gjendja e tij ishte disi problematike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›