E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja “Rama” do nisë me shpalljen e krizës

09-07-2013 / Gazeta 55

Kushtet për zhvatjen e ekonomisë dhe pasurimin e klientelës që ka uzurpuar mazhorancën e re krijohen vetëm me fabrikimin e një krize. Edi Rama po lodhet paraprakisht me takime institucionale, por edhe me blerjen e agjencive private ndërkombëtare, që të krijojë kushtet e nisjes së qeverimit me shpalljen e një krize të pavërtetë, prej nga do të nisë vjedhja masive e nomenklaturës, por edhe rritja e çmimeve dhe ulja e nivelit të mirëqenies për të gjithë shqiptarët

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po zhvillon një sërë takimesh paraprake me kryetarët e institucioneve kryesore të vendit. Pas takimeve me presidentin Nishani dhe kryeprokurorin Llalla, kreu i mazhorancës së re qeverisëse zhvilloi dje një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Burime pranë kreut të PS janë prononcuar për mediet se, Edi Rama është interesuar për shifrat makroekonomik dhe buxhetin real të vendit. Po ashtu pak ditë më parë përballë Asamblesë së Partisë Socialiste deklaroi se sapo të jetë kryeministër i vendit do të bëjë, “një auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke e filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti”.
Në këtë logjikë ish-ministri i financave të qeverive socialiste Anastas Angjeli në një prononcim për mediat deklaroi se “qeveria e re nuk mund të marrë drejtimin e shtetit pa një inventar të gjendjes ekonomike dhe financiare, dhe aktor kryesor në proces do jetë FMN-ja”. Praktikisht shuma e këtyre deklaratave  del socialistët mendojnë se ky inventar është negativ. Kjo kuptohet edhe nga deklarata e Edi Ramës në Vlorë se në shtator do të përballet me një rrënimin dhe një libër plot gabime.
Në një farë mënyre Edi Rama po shprehej se do të shpallë falimentin e shtetit si një alibi për mosmarrjen e përgjegjësisë përballë premtimeve të bëra. Dhe për këtë arsye Edi Rama do të shpallë zyrtarisht Shqipërinë në recesion dhe në krizë ekonomike Pavarësisht se Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet e tyre të prillit dhe qershorit janë në një mendje lidhur me rritjen ekonomike të Shqipërisë, që këtë vit do të jetë 1.8%.
Megjithatë diku tjetër fle lepuri. Premtimet e Edi Ramës se po të jetë kryeministër do të bëjë që 1) taksim i të pasurve nëpërmjet taksës progresive dhe heqjen e  taksave për biznesin e vogël; 2) legalizimet falas ditën e parë në punë; 3) do të hapen 300 mijë vende pune të reja; 4) do të ketë spitale dhe shërbime spitalore falas për të gjithë; 5) energji elektrike dhe ujë me çmime të ulëta. Faljen e faturave të papaguara;6) Shqipëri pa krime dhe korrupsion;7) qytetet që nuk do mbytem më nga shirat;8) asistencë sociale deri në 3 vjet  janë premtime pa faturë financiare dhe kostimi i tyre do kohë të bëhet efektiv.
Kuptohet vetiu që Edi Rama e dinte përpara fitimit të zgjedhjeve se nuk i realizonte dot premtimet por i bëri dhe padyshim pas fitimit të zgjedhjeve do të deklarojë se nuk realizon të gjitha premtimet, përveç njërës, sepse ekonomia është keq. Edi Rama po i del përpara kësaj duke kërkuar rikthimin e Fondin Monetar Ndërkombëtar që, sipas tij, pritet ta këshillojë të heqë dorë nga investimet e reja infrastrukturore, duke i kanalizuar fondet publike në shtimin e administratës publike për të kënaqur orekset revashiste. Edi Rama po mendon se vetëm ngritja e pesë ministrive të reja do të punësojë një masë të madhe të militantëve dhe do ushqejë klientët e Rilindjes. Por shtimi i pesë ministrive të reja në strukturën e kabinetit qeveritar të Edi Ramës  pa dyshim do të rrisë koston e administratës në buxhetin e shtetit duke hapur gropa të mëdha financiare.
Sido që të jetë deklarata e parë e Edi Ramës si kryeministër në shtator, një gjë është e sigurt: arkitektura shtetërore do të ndryshojë, por jo për mirë. Edi Rama përkundër institucionet financiare ndërkombëtare (FMN, Banka Botërore, BE-së) që kërkojnë që Shqipëria të ulë borxhin publik dhe shpenzimet e makinës shtetërore, të pakësojë numrin e burokratëve dhe nëpunësve të papune pritet të ndërtojë një qeveri të majtë me një oreks të madh që do të shtojë ministritë për të kënaqur orekset e militantëve dhe aleatëve të PS si dhe lukuninë e biznesmenëve që kërkojnë të shumëfishojnë paratë e investuara në fushatë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›