Përse Donald Ramsfeldi u prit vakët nga e majta e E. Ramës?
Ish-sekretari i Shtetit amerikan zbriti në Rinas një javë para zgjedhjeve. Socialistët e E. Ramës, si skuthë me përvojë, u vunë në lëvizje që të hetojnë agjendën e vizitorit të nderuar: A do të takohej me kryeopozitarin Rama? Marifetçinjtë i dhanë haberin negativ. Jo vetëm, por ai “kishte marrë parà për të dalë në mbështetje të qeverisë në fushatë (!)”. Këto nuk janë hamendësí. Mund të shihen në web “faqe profesionale” (21.06. 2013, ora 8 16’). Titulli: Ish- Sekretarit amerikan “i vjedhin” portofolin (!) Dëshiroj të jem i saktë. Mund ta verifikojnë lexuesit, sipas indikacioneve që dhamë në kompjuter. Këta janë në dorën e cilitdo, tanimë. Jo si para 2005-s, kur kompjuteri ishte luks i rrallë, ndonëse Rama i ka syzet opake për të çmuar përparimin e gjithanshëm të kundërshtarit të tij politik. Më keq akoma. Enveri thoshte “ai që s’është me ne, është kundër nesh”. Kjo thënie kundër pluralizmit u përvetësua për bukuri, jo nga Rama i “Refleksioneve”, por nga Rama i “Kurbanit”, kur u vëllazërua me veteranët në orgjitë e Pezës. Për këtë parti ai thoshte, në librin e mëparshëm se “duhej nxjerrë jashtë ligjit”. Tanimë ndërruan kohërat bashkë me zakonet (o tempora, o mores). Si egocentrik i sëmurë i pashërueshëm, ishte i përthithur nga motoja enveriste: ‘Ajo që s’më shërben MUA, nuk mund të jetë e drejtë, e vlefshme, e dobishme’. Do të dëshiroja që lexuesi të dijë saktësisht fjalën “skuth”, që përdorëm pak rreshta më sipër: “Skuth është ai që i fsheh veprimet e qëllimet e veta dhe që paraqitet ndryshe nga ç’ është, tinëzar”. (Fj. Shpjegues, 1984, faqe 1098).
Natyrisht duhet cituar edhe gazeta. Mjafton të themi se është organi ditor i shtypit, i drejtuar nga njëri ndër miqtë më të pasur të Ramës, me pasuri të reklamuar në 200 mln dollarë! Citojmë fjalë për fjalë: “Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld “u përfol” se kishte marrë para për të dalë në mbështetje të qeverisë në fushatë. Por gjatë qëndrimit në Tiranë, ai për pak sa nuk i “humbi” këto para. Në përfundim të një interviste në TV Klan, Rumsfeldi u shqetësua në momentin që njeri prej teknikëve, bashkë me mikrofonin, i mori edhe portofolin. Ramsfeldi e pikasi menjëherë këtë gjë: “Ou, portofoli im... ku e keni gjetur këtë? - thotë si me shaka. Pas kësaj gazetari i kërkoi falje për këtë ndodhi të pakëndshme”.
Komenti është i detyrueshëm: “U përfol se kishte marrë para!”. Që të thuash gjëra kaq të papërgjegjshme, duke fyer një personalitet mik amerikan që e do vendin tonë siç e donte Wilsoni, me përgjithësime në hava si “u përfol”, cilido mik i sinqertë i SHBA-ve, ka të drejtën e kundërvënies: Nga kush, konkretisht? Nga skuthët? Cili e beson që një personalitet kaq i lartë vjen në Shqipëri për të bërë pare(!), siç kanë bërë pasuri marramendëse disa nga miqtë e Ramës? (Jo nga vetë ky ‘i shkreti’, që nga fukarai u shndërrua në milioner, me anë të një libri që na u bë si ai gjeli që pillte florinj!). Shkojmë më tej nga ajo “për pak sa nuk “humbi” portofolin”. Le të shihet se folja “humbi” është dhënë nën thonjëza. Demek është apo s’është e vërtetë! Më e pakta që mund të thuhet: nuk është aspak serioze. Na kujtohet “vjedhja” e orës së Presidentit junior Bush! Nuk vonoi të dilte një blof nga skuthët që e çnderojnë vendin e tyre, për “arsye” partiake! A nuk qé për faqe të zezë edhe ajo broçkulla e sajesës për atë tmerrin që iu përftua Tania Fajonit, për atë ‘fabulën’ e nxjerrjes nga barku i nënës të fëmijës që e hodhën në kanal? Zonja Fajon lëshoi edhe një pasthirrmë që do të trondiste çdo shqiptar të ndershëm: - Qenkan kanibalë këta shqiptarët? - ulëriti ajo. Kështu ndodh kur ke të bësh me utilitaristë, që s’e kanë për gjë prestigjin kombëtar, për interes të një partie që si europianizmin, ashtu edhe amerikanizmin, i kanë fiktivë!
***
Ish-shefi i Pentagonit, Rumsfeld, ka qenë për herë të parë për vizitë zyrtare në Shqipëri në 10 qershor të vitit 2003: ndërsa vizitën e tij të dytë në Tiranë e bëri në 26 shtator të 2006-ës. Tani, në mes të qershorit, takoi personalitetet e vendit tonë, presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Berisha, titullarin e dikasterit kur u jetësua pranimi në NATO, z. Mediu, botuesin e veprës së njëzet mijë memove të Ramsfeldit, “Të njohura dhe të Panjohura”, z. Fahri Balliu etj. Ish-Sekretari amerikan për Mbrojtjen u dekorua nga Presidenti Nishani me “Urdhrin e Flamurit”, në shenjë falënderimi e mirënjohjeje që mysafiri i nderuar kishte dhënë për anëtarësimin në NATO të vendit tonë.
Do të zhvillohej, gjithashtu, edhe ceremonia e promovimit të librit të përkthyer në gjuhën shqipe nga Sh. B. “55”. Kryeministri Berisha tha: “Jemi shumë të nderuar dhe krenarë që jeni në Shqipëri. Për ne shqiptarët flamuri është kulti më suprem, atë e kemi gjënë më të lartë dhe ky ishte një dekorim i një miku që me vendosmëri na ndihmoi që të anëtarësohemi në NATO si aleancë vlerash, paqeje dhe sigurie, që këto 20 vite historia e dha që të përdorte forcën e saj në mbrojte për herë të parë në Kosovë. Z. Ramsfild, të dashur miq është promotor i lirisë në vendin e tij dhe në botë. Të paktë janë njerëzit mbi tokë që lahen në ujërat e të njëjtit lume”, - shtoi me tej z.Berisha. Kryeministri shqiptar shtoi se “nën udhëheqjen e Presidentit Bush, SHBA-të larguan me forcë dy nga diktatorët më të egër të kohërave, Mullah Omarin dhe Sadam Huseinin. Ato luftëra, natyrisht kishin efektet e tyre kolaterale. Por ata që përfituan më shumë ishin populli i Afganistanit dhe populli irakian që, me përpjekje të mëdha, përpiqen të ndërtojnë një sistem demokratik, përpiqen të ndërtojnë të ardhmen”, - tha z. Berisha. Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi maksimalisht kryeministrin shqiptar. “Kryeministri është një aset i çmuar dhe unë e dalloj nga të gjithë, kudo. Mediun e vlerësova për kontributin e tij të përkushtuar në kohën e bashkëpunimit për anëtarësimin në NATO. Ai më duket kurdoherë si një djalë i ri”. Me tej Rumsfeld vlerësoi arritjet e bëra në 20 vitet e fundit në Shqipëri, për të kaluar një tranzicion vërtet shumë të vështirë. “Jam në mbështetje të Shqipërisë, - vazhdoi ai, - dhe u besoj fort shqiptarëve, e di që çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s: energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil. Ju po luani një rol shumë të rëndësishëm në aleancë. Ju dini të zhvilloni një lloj ndjeshmërie për vendin. Dini të jepni ndjesi dhe energji pozitive” - tha ai. Shtëpia Botuese "55" promovoi në mjediset e Hotel "Tiranës", librin me kujtime të ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Në ceremoni morën pjesë ministrat Mediu, ministri Kosova e z. Zhiti, si dhe kryebashkiaku i kryeqytetit, Lulzim Basha. Në çelje të ceremonisë, botuesi Balliu shprehu krenarinë e tij, për suksesin që kishte njohur te lexuesit e të gjithë hapësirës shqiptare libri me kujtime "Të njohura e të Panjohura". "Jeta juaj zoti Rumsfeld i ngjan luftës mitologjike që bën e mira me të keqen ku ju jeni e mira, jeni burri i ndershëm përballë intrigës dhe terrorizmit, tha - ndër të tjera publicisti Balliu. Ju jeni heroi që thjesht jo vetëm që nuk keni munguar në luftë, por jeni dalluar në luftërat e egra kundër diktatorëve, si Sadami etj. Ju, edhe kur të largoheni, do të jeni prapë këtu, se keni librin në duart e mijëra e mijëra lexuesve", - tha z.Balliu. Më pas, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e nderoi me titullin "Mirënjohja e Tiranës", ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld: "Me mirënjohje për kontributin e tij të shquar, në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe SHBA”. Ky titull është një tregues i mirënjohjes për rolin e tij të veçantë në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një demonstrim i respektit të thellë që i akordon qyteti i Tiranës për vitet e tij të shërbimit në SHBA dhe mbarë botën", - thuhet në motivacionin e mirënjohjes së Bashkisë së Tiranës. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, i ka shprehur ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, mirënjohjen e thellë të çdo shqiptari për kontributin e tij në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Kthimi juaj në Tiranë është, padyshim, një lajm shumë i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët që vlerësojnë miqësinë tuaj, të demonstruar me vepra dhe me punë, për të arritur një ndër destinacionet më të rëndësishme të vendit tonë. Në NATO ne arritëm për shkak të reformave dhe punës sonë, por vetëm përmes mbështetjes së gjithanshme të SHBA-ve dhe, në veçanti, të Presidentit Xhortxh W. Bush, si edhe dhe tuajën personale” - u shpreh Basha. Kryebashkiaku e ka konsideruar frymëzim të madh për brezat e rinj, pasionin dhe forcën me të cilën Rumsfeld-i kreu misionin e tij historik, në raport me lirinë e njeriut, si vlera themelore për përparimin e çdo shoqërie. "Jeta juaj është një burim frymëzimi për çdo të ri dhe të re, në duart e së cilit do të vijë ky libër. Ju i përkisni një brezi, që mbajti premtimin e një bote të lirë nga frika dhe terrori përballë shumë kërcënimeve, të nazizmit, si edhe të totalitarizmit komunist", theksoi zoti Basha.
Në përshëndetjen e tij, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu (sot ministër i Bujqësisë, në kabinetin "Berisha"), falënderoi zotin Rumsfeld, sepse ka qenë një nga miqtë më të veçantë të shqiptarëve, i cili "na ka mbështetur në të gjitha reformat, jo vetëm thjesht forcat e armatosura, por edhe institucionet e sigurisë, për reformat e rëndësishme për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO", - tha ish-ministri i Mbrojtjes. “Atëherë kur shumë pak besonin në këtë proces, - vijoi zoti Mediu, - ai na mbështeti kur shumë njerëz ishin skeptikë, kur kishte edhe nga ata që, padyshim, ishin kundër këtij procesi”. Një përshëndetje në ceremoni ka bërë edhe ministri i Kulturës, zoti Visar Zhiti, i cili shprehu mirënjohjen si qytetar dhe si ministër, për gjithçka të madhe dhe të rëndësishme që SHBA-të kanë bërë për vendin tonë. Fjala e ministrit të Kulturës u ndoq me interes të veçantë , për elegancën e frazës së të shprehurit të këtij shkrimtari e poeti të shquar, që e pagoi shtrenjtë haraçin e fjalës së lirë, nëpër burgjet e komunizmit. "Botimi i këtij libri është shumë i rëndësishëm, në njëfarë mënyre është befasia e radhës e Shtëpisë Botuese "55", e cila vazhdimisht ka sjellë librat e duhur, që kultivojnë njohuri dhe dije, ku njohja shndërrohet në përvojë dhe përvoja në kulturë", - tha ai. Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, tha se Sekretari Rumsfeld ka qenë njëri ndër figurat më të rëndësishme të SHBA-ve, të cilat kanë shënjuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO".
Duke iu drejtuar botuesit, publicistit dhe shkrimtarit Balliu, Ramsfeldi përmendi mikpritjen e shkëlqyer dhe nxjerrjen në shqip të librit të tij.
***
Pas këtij pasqyrimi të kësaj mikpritjeje të përzemërt të popullit shqiptar, por edhe disa varje buzësh publikisht të përcjella nga botuesit e E. Ramës, është e qartë të dallohet se cilët janë miqtë e sinqertë të dashamirëve të mëdhenj të Amerikës dhe cilët janë “miqtë” e kushtëzuar të këtij vendi, që përbën epiqendrën e demokracisë në botë. Pjesa fanatike e PS-së, sigurisht pa përjashtuar E. Ramën, është e mbrujtur me thirrjen e diktaturës së Enverit, me sloganet e pështira kundër “Imperializmit amerikan”... Tani tregohen si proamerikanë fiktivë, me kusht që këta t’i ndihmojnë në sindromën e përvetësimit të pushtetit.