Qeverisja e PDK-së po e zbraz Kosovën

Gjatë qeverisjes së PDK-së, Kosova po zbrazet nga të rinjtë njësoj si gjatë viteve të 1990-ta kur vendi ishte nën okupim. Kështu konsideron, Këshilli i Ekspertëve për Ekonomi i LDK-së, sipas të cilëve të dhënat e Komisionit Evropian për dymbëdhjetë muajt e fundit tregojnë se afër 12,000 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, kryesisht të rinj.
“Kur merret parasysh popullsia, Kosova ka shtatë herë më shumë azilkërkues se Afganistani, apo pesë herë më shumë se Siria që është në luftë civile. Kosova ka 645 azilkërkues për 100,000 banorë, krahasuar me 136 nga Siria, 89 nga Afganistani dhe 37 nga Iraku. Krahasuar me vendet fqinje, Kosova ka tre fish më shumë azilkërkues se Serbia dhe dy fish shumë se Shqipëria (shih figurën në vijim)”, konsiderojnë ekspertët e LDK-së, duke shtuare se ikja e të rinjve nga vendi është si rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike.
“Gjatë qeverisjes së PDK-së, papunësia ka mbetur mbi 40% ndërsa varfëria e skajshme vetëm sa është thelluar. Nga rreth 25,000 të rinj që arrijnë moshën e punës çdo vit, jo më shumë se 5,000 arrijnë të gjejnë ndonjë punë. Detyrimisht, rreth gjysma e tyre emigrojnë ilegalisht”.
LDK vlerëson se kjo është shqetësuese për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Parullat milionëshe të PDK-së ‘Evropianët e rinj’, të prezantuara në mediat botërore, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, po demaskohet plotësisht me këtë numër të azilkërkuesve. /Indeksonline/