Qindra qytetarë firmosin peticionin. Të rinjtë: Mbani Enverin, na lini Piramidën
Qindra qytetarë janë mbledhur para Piramidës për të nënshkruar një peticion kundër prishjes së saj.
Tubimi është një tubim qytetar, ndër të paktët e këtij soji në vendin tonë. Duke folur në këtë tubim, të rinjtë janë shprehur se pushtetarët mund të mbajnë Enverin, por tu lënë atyre Piramidën.
Ndërkohë, Maks Velo ka deklaruar se Piramida nuk është pronë e Enverit ndaj nuk mund të prishet. Velo shtoi se lekët që po përdoren për Piramidën, mund tu jepen familjeve të ngujuara.
Analisti Andrea Stefani tha se me këtë veprim, qeveria synon të godasë median e lirë.
Arkitekti i njohur Artan Shkreli deklaron se vendimi i Parlamentit për shembjen e kësaj strukture është absurd, ashtu si dhe argumentet e dhëna për këtë projekt.
Ata që hedhin poshtë vlerat e Piramidës janë njerëz që punojnë për pushtetin dhe bëjnë sikur nuk kanë lidhje me të. Ambasadorët janë të terrorizuar nga ky veprim i kastës qeveritare, e cila shpërfill opinionin publik, pohon Shkreli.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe mbrojtësi i trashëgimisë kulturore, Artan Lame, i cili thekson se argumenti i qeverisë se Piramida përfaqëson ish-diktatorin Enver Hoxha është një absurditet.
Të rinjtë nuk e lidhin fare piramidën me Enverin dhe kanë bërë këtë frazë: Mbani Enverin dhe na lini piramidën. Prandaj, ringjallja e kësaj figure është justifikimi më i turpshëm, nënvizon Lame
Para pak ditësh edhe ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, komentoi vendimin për të prishur Piramidën. Piramida është një ndërtesë e spikatur në Tiranë. Është unike, ashtu si Kulla Eifel është për Parisin; Piramidat për Egjiptin; Qyteti i Ndaluar për Pekinin, Kronborg për Danimarkën. Është një nga ndërtesat tërheqëse të Shqipërisë të paktën kur mbulohej nga mermeri i bukur.
Ajo është gjithashtu pjesë e historisë. Mendoj se e kuptoj, aq sa dikush mund të kuptojë diçka kur nuk i ka vuajtur dhimbjet, pse shumë shqiptarë e shikojnë monumentin si një kujtim jashtëzakonisht të pakëndshëm dhe të vazhdueshëm të së shkuarës. Një gjemb i madh në sy.
Por mënyra e kundërvënies së të kaluarës nuk është shkatërrimi i të gjitha mbetjeve të saj, por i përballjes me të. P.sh. të hapësh arkivat e SHISH dhe të Komitetit Qëndror që të gjithë të shikojnë, të përballen me historinë e ta pranojnë atë. Shqipëria është një nga vendet e pakta, mes diktaturave të kaluara, që nuk është marrë me të shkuarën. Në Shqipërinë e ditëve të sotme, e kaluara është si Shpata e Demokleut, që varet mbi politikën shqiptare nganjëherë edhe e përdorur si e tillë. Sigurisht që pas më shumë se 20 vitesh, duhet të jetë e mundur të përballesh me të shkuarën dhe të vësh pikat mbi i, tha ambasadori.