E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qirinjtë e Pashkës, Maria Furxhi i prodhon në mënyrë artizanale

Ajo që mund të veçosh në ditët e Pashkës, festës së madhe të krishterimit, është blerja e qirinjve.

Tek Panairi i Pranverës, këta qirinj që përdoren për të marrë “Dritën e Shenjtë” mund t’i gjesh e shumëllojshmëri ngjyrash e dekoresh, por të veçantë janë ata të prodhuar në mënyrë artizanale.

Maria Furxhi, një vajzë e talentuar korçare, thotë se i punon me dëshirë dhe shumë dashuri për të sjellë punime të veçanta dhe me simbolika të ndryshme, përfshirë ato të Pashkës.

“Para tre viteve mendova pse të mos nis të bëj punë me qirinj aromatikë dhe objekte të tjera të dekorit të brendshëm. Duke kërkuar në internet apo duke miksuar me ato që mendoja se do të finalizoja si produkte, arrita të krijoj qirinj aromatikë në forma të ndryshme dhe sende për dekorin e brendshëm. Panairi i Pashkës ose Panairi i Pranverës është një prej mundësive më të mira për të ekspozuar ato që kam finalizuar si produkte. Ka shumë lëvizje. Ka shumë njerëz që e vlerësojnë punën e dorës, kështu që hapi i parë i rëndësishëm për mua ishte të merrja pjesë në këtë panair. Puna me dorë merr gjithmonë kohë. Nuk është perfekte. Nuk është një makineri, ndaj duhen disa tentativa,” thotë Maria.

Veç qirinjve, Maria ka prezantuar në këtë panair edhe disa punime dekori shtëpiak të punuara në allçi.

Të rinjtë si Maria janë shembuj frymëzimi që me dëshirë dhe vullnet mund të arrihet gjithçka që dëshiron.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›