E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ksamili, destinacioni që tërheq gjatë gjithë vitit. Çifti nga Venezuela e njohën nga rrjetet sociale

Edhe pse jemi në pranverë, çdo ditë Ksamilin vazhdojnë ta vizitojnë dhjetëra turistë të huaj.

Ujërat e kristaltë, natyra e pastër dhe mikpritja vendase e kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet më të preferuara në jug të Shqipërisë.

Një çift nga Venezuela, Melisa dhe Emin, tregojnë se e kanë zbuluar Ksamilin në rrjetet sociale dhe të impresionuar nga pamjet vendosën që ta përfshijnë në itinerarin e tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri.

“Pamjet që pamë në internet ishin të mrekullueshme, por realiteti i Ksamilit është edhe më magjepsës. Nuk e prisnim që natyra të ishte kaq e bukur dhe deti kaq i pastër,” thotë Emin.

“Ishte një vend që na ngjalli shumë kuriozitet. Pamjet ishin mahnitëse, por kur erdhëm këtu kuptuam që realiteti është edhe më i bukur,” shton Melisa.

Turistët e huaj që vizitojnë Ksamilin nuk janë më vetëm pjesë e sezonit veror. Ndikimi i promovimit në rrjetet sociale, përmirësimi i infrastrukturës dhe përvoja pozitive e vizitorëve po e shndërrojnë këtë destinacion në një pikë atraktive gjatë gjithë vitit.

“Ksamilin të huajt nuk duhet ta zgjedhin vetëm në verë pasi ky është një destinacion i mrekullueshëm përgjatë gjithë vitit,” shprehet Emin.

“Na pëlqen shumë atmosfera këtu. Është e qetë, mikpritja është e jashtëzakonshme dhe ushqimi shumë i shijshëm. Është një vend që do t’ua rekomandojmë miqve tanë,” deklaron Melisa.

Ndërsa sezoni turistik ende nuk ka nisur zyrtarisht, interesimi në rritje i të huajve për Ksamilin është një tregues i qartë se turizmi në këtë zonë ka potencial të jetë aktiv gjatë gjithë vitit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›