Qosja: Kërkesa e Haradinajt, jo demokratike

Akademiku Rexhep Qosja, kërkesën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për t’u bërë kryeministër i vendit, nëpërmjet një koalicioni të mundshëm me PDK-së, e ka vlerësuar si procedurë vrapuese dhe jodemokratike.
Ai thotë se dalja nga Haga e Ramush Haradinajt e ka gëzuar atë dhe të gjithë popullin.
“Lirimi i Ramush Haradinajt është ngjarje shumë e rëndësishme për të, familjen e tij, e për gjithë Kosovën. U dëshmua edhe një here se lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Por, duhet të them se, ky gëzim që më lirimin e tij ka sjellë të gjithëve, nuk i jep të drejtë tani Ramush Haradinajt të tregojë jomodestinë që po e tregon me disa kërkesa politike. Ne kemi një kryeministër dhe kemi një koalicion që prej formimit është treguar si koalicion i qëndrueshëm”, ka thënë Qosja në një intervistë për “Epokën e Re”.
Sipas tij, kryetari i AAK-së po pretendon të bëhet kryeministër i Kosovës, dhe vetëm kryeministër, nëpërmjet një procedure vrapuese jodemokratike, që përmban fyerje për koalicionin ekzistues, dhe për votuesit e zgjedhjeve të kaluara.
“Si të gjithë aspiruesit për poste të larta politike shoqërore në Kosovë, edhe Ramushi do të duhej të tregohej demokrat, dhe ti pres zgjedhjet e ardhshme. Të gjitha kombinimet tjera pas perdes e cenojnë demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë”. /Indeksonline/