E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qosja i ashpër me Berishën: Zgjedhje te reja

 Sipas Qoses, Berisha po lufton institucionet. “Dikush do që ta bëjë Shqipërinë shtet privat. Shqipëria është shtet i privatizuar. Prej kujt? Prej Sali Berishës. Berisha bën betejë të pandërprerë për të privatizuar shtetin shqiptar. Kur është në pushtet bën luftë që njerëzit e tij të kapin pozitat që do ai. Ndërsa kur është në opozitë bën gjëra të palejueshme për të marrë pushtetin”, ka deklaruar Qosja në emisionin “Shqip”.

Ai flet edhe për demonstratën e dhunshme të 21 janarit, duke theksuar se ajo nuk ishte grusht shteti por protestë. “21 janari nuk ishte grusht shteti, ishte protestë. Nuk bëhet grushti i shteti me çadra, por me tanke. Si ata që u futën me tanke në 98-ën”, ka pohuar Qosja. “Ne kemi luftë të këtij njeriu me prokurorët, me Rakipin, me Sollakun, që i përjashtoi dhe tani me prokuroren që ka vënë vetë. Një luftë e paskrupullt, me fyerje të rënda. Ku ka kryeministër në botë që bën të tilla fyerje? Edhe me presidentët. Bëri luftë me Rexhep Mejdanin, me Moisiun. Luftë të ashpër me një kandidaturë që e kishte pranuar PD. Dhe tani me Topin, me funksionarin e vetë. Kjo luftë ndodh për të privatizuar shtetin. Madje, lufta vazhdon me mediat. Berisha i ka kaluar të gjithë kufijtë e së lejuarës”, ka theksuar Qosja.

Në fjalën e tij, ai ka shprehur simpati ndaj liderit të opozitës, Edi Rama, duke theksuar se fjalori dhe mendja e tij është e kthjellët.  “Rama ka një mendje të kthjellët. Fjalimet e tij janë tekste që nuk mund t’i formulojë kushdo. Ai është një gojëtar i mirë, i sistemuar, racional. Argumentet e tij janë të qëndrueshme. Askush nuk bën analizë më të mirë të realitetit shqiptar. Por kjo nuk mjafton për të qenë politikan i shquar. Politikani duhet të ketë edhe diçka që për mendimin tim Rama nuk po e tregon”, ka deklaruar Qosja.

Më tej, ai flet edhe për rinumërimin e votave, duke akuzuar ndërkombëtarët se nuk lejuan rinumërimin e tyre. “Berisha thotë se s’ka numërim të votave. Në Kosovë u rinumëruan 40 për qind të votave. Mua më çudit Evropa që kundërshtoi rinumërimin dhe e solli Shqipërinë në këtë krizë. Ndërkombëtarët nuk duan institucione të forta në Shqipëri, por duan udhëheqës të fortë që të jenë servilë dhe të bëjnë atë që kërkojnë ata”, ka thënë Qosja.

Akademiku kërkon zgjedhje të parakohshme në Shqipëri si rrugën për zgjidhje të problemeve, paçka se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë qartësuar se nuk mbështesin zgjedhjet e reja. “Zgjidhja nuk është e vështirë. Zgjedhjet e parakohshme bëhen shumë lehtë. Nëse s’kalon një ligj në Evropë, kalohet në zgjedhje. Në Shqipëri janë djegur kushtet për zgjedhje të reja dhe ai që çohet kundër zgjedhjeve të parakohshme po përpiqet të zgjasë krizën në Shqipëri. Zgjedhjet po i kërkon gjysma e Shqipërisë. Duhet të shkohet në zgjedhje. Edhe këtu më çudit Evropa”, ka shtuar Qosja.

                                                                                             2011-02-08 08:02
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›