E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qosjes i ndahet çmimi letrar “Drita e Minatorit”

Figurë e shquar letrare dhe kombëtare u vlerësua akademik, Rexhep Qosja, të cilit iu nda çmimi i edicionit të dytë të Manifestimit ndërkombëtar “Drita e Minatorit” që u mbajt të shtunën në Mitrovicë. Këtu u tha se emri i Qosjes nderon këtë manifestim letrar që organizohet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë komunale për kulturë.

Vendimin për ndarjen e këtij çmimi e lexoi, Shyqeri Galica, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK). Ai tha se figura e Qosjes është komplekse, meqë në vete përfshin shkrimtarin, kritikun, historianin e letërsisë, politikologun dhe njeriun që gjithë jetën ia kushtoi zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Ndërsa, kryetari i LSHK-së, Adem Demaçi, i cili ka ndarë çmimin për akademik Qosjen, kërkoi më tepër mbështetje nga institucionet për shkrimtarët dhe organizatat e tyre. Sipas tij, ata meritojnë më shumë, siç meriton edhe Mitrovica të ketë një manifestim dinjitoz.

Në anën tjetër, akademik Qosja, pasi ka marrë çmimin letrar, tha se në moshën e tij gjërat pranohen me qetësi, megjithatë, pranoi se çmimi “Drita e Minatorit”, përbën përjashtim në këtë rast. “Ky çmim më sjell gëzim, meqë mban emrin e minatorëve, të cilët e ndriçuan Kosovën dhe u bënë pjesë e historisë më të ndritur të saj”, ka thënë Qosja.

Po ashtu ai theksoi se ndjehet i nderuar meqë këtë çmim e merr nga dora e një njeriu të veçantë, nga dora e një veprimtari të shquar të çështjes kombëtare, siç është Adem Demaçi. “Jam shumë i nderuar nga respekti që bëhet këtu në Mitrovicë, qytet i cili me kapacitetet që ka do të tejkaloj edhe sfidat me të cilat po ballafaqohet”, tha, mes tjerash, akademik Qosja.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati si dhe zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi. Ata janë zotuar për të mbështetur aktivitetet e tilla kulturore që kanë vlera të mirëfillta.

Në pjesën tjetër të programit të këtij manifestimi, profesorë, historianë të letërsisë dhe njerëz të penës lexuan kumtesat e tyre letrare për letërsinë dhe hapësirën shqiptare. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›