E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi, në krye të DSK-së

Demokracia Sociale e Kosovës ka mbajtur të shtunën Kuvendin e parë Zgjedhor të partisë, me ç’rast ka zgjedhur Kryesinë, që ka mandatin të udhëheqë këtë parti deri në mbajtjen e kongresit. Delegatët nga degët e kësaj partie në tërë Kosovën me shumicë votash zgjedhën për Kryetar të DSK-së, Begzad Gashin, i cili kundër kandidat kishte Kujtim Kurtin. Drejtuesit e DSK-së thanë se do të angazhohen që Kosova të jetë një shtet social.

Kryetari i porsazgjedhur i partisë që veprimtarinë e saj e filloi para 6 muajve, Begzad Gashi, ka thënë se arsyeja kryesore që i ka shtyrë të formojnë këtë parti, është gjendja e rëndë sociale në Kosovë.

Gashi, ka pohuar se partia që tashmë ai udhëheq me të, është parti e qendrës së majtë, pasi që, sipas tij, politikat e djathta, gjatë këtyre 13 vjetëve, qytetarët tanë i kanë lënë në mëshirë të fatit.

“Pikësynimi ynë kryesor është gjendja e rëndë sociale në Kosovë dhe si e majtë e qendrës e kemi të fokusuar shëndetësinë, pozicionin e fëmijëve, shtresat sociale dhe të gjitha ato që janë të pafuqishme për t’u vetëmbajtur. Ne thuajse po jetojmë në një kohë shumë të kundërt me atë që jetuam para 30 vjetësh. Si është e mundur që dikur gjyshja ime kishte një shërbim shëndetësor komplet, ndërsa nipërit tanë nuk kanë. Politikat e djathta gjatë këtyre 13 vjetëve thuajse të gjithë opinionin tanë i kanë lënë në mëshirë të vet. Kosovës me çdo kusht i duhet një sigurim shëndetësor shtetëror, ashtu siç e kemi ne në Gjermani”, ka thënë ai.

Kryetari i Demokracisë Sociale të Kosovës, Begzad Gashi, gjatë tërë fjalimit të tij, ka folur për modelin qeverisës të Gjermanisë, duke folur edhe në cilësinë e një shtetasi gjermanë, pasi që shpesh herë deklarohej me fjalët “ne në Gjermani”. E ky fjalor, sipas tij, vjen për shkak se ai për një kohë të gjatë ka jetuar në atë shtet.

Gjendjen e rëndë socio-ekonomike në vend, të cilën, sipas tij, e krijuan politikanët aktualë, Gashi e konsideron si një “bombë të kurdisur e cila mund të eksplodojë çdo moment”.

“Një pasurim kaq i fuqishëm në pronën që nuk u takon rrezikon që siç quhet jashtë ‘bomba sociale e kurdisur në Kosovë të eksplodojë në çdo moment’ dhe për këtë është përgjegjëse, sipas nesh, politika e djathtë trembëdhjetëvjeçare, ekstrem e djathtë në Kosovë, të gjitha shtresat të pafuqishme për të jetuar vet, si dhe klasën punëtore, shtresat punëtore. Paramendoni me 70 centë për orë punojnë punëtorët e ‘Bechtel Enka’ në shekullin e 21-të. Kjo ta jep pasqyrën se çfarë shteti kemi dhe çfarë politikash ne udhëheqim. Ne në Gjermani i kemi kriteret se si do t’i punësojmë njerëzit”, ka thënë ai.

Në këtë Kuvend, po ashtu u tha se, Demokracia Sociale e Kosovës që nga data e themelimit më 23 shkurt të këtij viti, ka zhvilluar një mori aktivitetesh, duke formuar edhe degë të reja në të gjitha komunat e Kosovës.

Në këtë Kuvend, të parin zgjedhor, delegatët me asnjë votë kundër miratuan edhe statutin e DSK-së. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›