Quku: Fitorja e Tavos në Himarë, si ajo e Pirros! Humbja e Gjikurias, goditje për opozitën. PD pa vizion për 2025-n

Gazetari Bardhi Quku në analizën mbi procesin e zgjedhjeve në bashkinë e Himarës ka deklaruar në RTSH24 se fitorja e kandidatit të Partisë Socialiste, Vangjel Tavo ishte një fitore si ajo e Pirros së Epirit.
Sipas Qukut, Tavo humbi njësinë administrative Himarë duke marrë vetëm 46.41 % përballë Gjikurias që fitoi 53.59 % të votave.
“Fitorja e Vangjel Tavos është pak a shumë si fitorja e Pirros së Epirit (fitore me humbje). Pra, është një shoqëruar me humbje, pasi duhet të kemi parasysh pasi nuk ka mundur të fitojë qytezën, Himarën, pasi votat më të shumta i ka marrë nga Horë Vranisht dhe Lukova. Kjo tregon se nuk mund të ishte një fitore absolute e Vangjel Tavos”, u shpreh Quku.
Sa i përket kampit opozitar që rezultoi humbës në këto zgjedhje, gazetari Quku theksoi se disfata në Himarë reflekton krizën e brendshme të Partisë Demokratike dhe mungesën e një vizioni për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Himara reflekton krizën e vetë opozitë dhe tregon se ku ndodhet sot opozita kur tashmë e presin zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, humbja e Himarës është një goditje për opozitën e cila prej kohësh vijon të jetë e përçarë, prej kohësh vijon të mos ketë një vizion të qartë politik se ku do të shkojë, aq më tepër kur tashmë vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”, tha më tej Quku.
/rtsh.al/