E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qumështi me aflatoksinë, MSH:Do bëhen analiza në popullatë

Të tjera rreth shkrimit Si u zbulua aflatoksina dhe çfarë është ajo TIRANË – Ministria e Shëndetësisë deklaron se deri më sot nuk ka të dhëna që të konfirmojnë se në Shqipëri është konsumuar, qumësht i kontaminuar. Këtë ka deklaruar sot, Drejtori i Politikave në ministri, Pëllumb Pipero. Megjithatë, Ministria ka nisur hetimin epidemiologjik dhe mostrat e qumështit do të dërgohen deri në laboratorin superior në Romë për të verifikuar nivelin e aflaktosinë.

Pipero dha sot një konferencë për shtyp, në të cilën theksoi se në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë për konsum qumështi të kontaminuar, që të shfaqë patologji të rënda. Megjithatë, sot Ministri i Shëndetësisë do të nxjerrë urdhrin për kontrollin e qumështi që dërgohet në kopshtet dhe çerdhet publike. Ai sqaroi se “autoritetet shëndetësore ndërhyjnë vetëm në rastet kur ka indikacione për shtim të pazakonshëm të helmimeve ushqimore apo kur ka sinjalizime të faktorëve të rriskut; në këto raste ndërmerret hetim epidemiologjik në bashkëpunim edhe me institucionet e kontrollit të industrisë ushqimore".

"Aflaktoksinat janë toksina”, - tha ai, -“që prodhohen nga kërpurdhat; ndër to, njëra është më toksike dhe quhet aflaktosina B1. Ato rriten në ushqimet e mykura që konsumojnë bagëtitë, përfshirë lopët dhe shkaktojnë cerozë apo kancer nëse qumështi konsumohet për një kohë të gjatë. E theksojmë, për një kohë të gjatë, sepse doza e tyre është shumë e vogël në qumësht dhe rastet e helmimeve të tilla janë shumë të rralla".

"Nga pikëpamja epidemiologjike”, - shtoi Pipero, -“do të hetohen rastet me cerozë dhe kancer nëse kanë lidhje me këtë çështje, duke mos përjashtuar hetimin epidemiologjik më të gjërë. Mostrat e tregtuara do t’i çojmë në Itali për analiza të thella, në laboratorin superior të Romës. Qumështi i atyre subjekteve që u publikuan, nuk do të konsumohet më dhe hetimi do të vazhdojë. Do hetohet se ku është tregtuar ai qumësht, cila është gjeografia e shpërndarjes së tij, ku është konsumuar dhe në ato grupe popullate, konsumatore të tij, do të merren analizat. Pra”,- përfundoi Pipero, - “ne do të bëjmë hetim epidemiologjik për efektin e mundshëm të pasojave në shëndetin e popullit”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›