E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetar n

• Ilir BeqjaKa disa ditë që në media, sidomos atë të shkruar, midis të tjerash, po debatohet rreth asaj të cilën që në titull e kam quajtur: “qytetar në politikë”. Lënda për këtë debat mund të jetë e hershme, por shtysa për ndezjen e tij erdhi nga një deklarim i Edi Ramës në festimin e ditëlindjes së FRESSH-it. E kam ndjekur me vëmendje debatin. Nuk jam interesuar shumë se cili ka shkruar dhe në cilin organ mediatik është botuar. Në kësi rastesh përpiqem të marr çfarë është me vlerë në çdo shkrim me dy qëllime kryesore. Së pari, duke qenë se tashmë sjellja ime në publik ka edhe një nënshtresë të mirëfilltë politike, përpiqem të ballafaqoj mendimet e mija rreth problemit që diskutohet me ato çfarë thonë autorët e ndryshëm, me qëllimin e vetëm që të korrigjoj apo të përmirësoj vetveten nëse e shoh me vend. Së dyti, duke qenë se tashmë jam pjesë e një ekipi brenda formacionit politik që kërkon të fitojë zgjedhjet e ardhshme politike, përpiqem të marr nga çdo burim çdo gjë me vlerë që mund të na ndihmojë në përmirësimin e qasjes së ideve tona tek elektorati i majtë apo te publiku i gjerë.Ajo që po shkruaj në vijim nuk është përpjekje për t’u përfshirë drejtpërdrejt në këtë debat, e për më tepër replikë me opinionistë të ndryshëm (edhe pse nuk i druhem debatit me këdo, kurdo dhe kudo). Mesa duket perceptimet dhe përjetimet e punës për zbatimin e një detyre partie në 5 muajt e fundit shtyjnë të reagoj, edhe publikisht, për vlerësime që i bëhen publikisht punës dhe përpjekjeve që po bëhen në PS. Para dy muajsh kam bërë një reagim të ngjashëm kur shumica e opinionistëve dhe opinionbërësve të metropolit stigmatizonin bashkëbisedimin me shqiptarët.Është e vërtetë që vendosja e sistemit politik pluralist në Shqipëri në dhjetor 90’, është një ngjarje po aq e madhe sa shpallja e pavarësisë dhe çlirimi i vendit. Por është po aq e vërtetë sa askush nga ne nuk e kish menduar në dhjetor ‘90, se pas 17 vjetësh Shqipëria do të vazhdonte të ecte “me br... nëpër këmbë”. Përgjegjëse kryesore për këtë çapitje nuk është askush tjetër, veçse klasa politike. Por klasa politike nuk është diçka abstrakte. Si çdo klasë edhe ajo ka përbërësit e saj. Këta janë politikanët. Janë këta politikanë të vitit ’90, që e kanë mbajtur peng zhvillimin e Shqipërisë. E kanë mbajtur peng, sepse mendojnë se meqë ishin krerët e partive politike të sapoformuara në ‘90 – ‘91, duhet t’u bëjmë duva sa të kenë ymër dhe të falënderojmë Zotin që na i dërgoi e këta na sollën pluralizmin. Mendojnë se kanë të drejtë të sillen si të duan me qytetarët e vendit të tyre. T’u premtojnë, shkelin premtimet, e t’u ripremtojnë të njëjtën gjë. T’i vënë zjarrin Shqipërisë, të plaçkitin pronën publike apo të rrënojnë burimet natyrore, e përsëri të mendojnë se qytetarët duhet t’u bëjnë duva meqë u “sollën” lirinë e fjalës. E pra, edhe pse 17 vjet janë pak në historinë e Shqipërisë, edhe pse 17 vjet do të jenë pak në historinë politike të pluralizmit shqiptar, për mua (në ‘90 isha 22 vjeç e sot jam 40 vjeç), që i përkas atyre shqiptarëve që duan t’i gëzojnë e shijojnë për së gjalli fillimet e ndryshimeve në Shqipëri, janë shumë, janë jashtëzakonisht shumë.Në 1991, në krye të shteteve të Evropës ishin Miterrand, Kraksi, Mejxher, Khol, Micotaqis, Gonzales, Papandreu (plaku), etj. Në ShBA ishin Bush (plaku) dhe Bejker. Me këta personalitete patën fatin të takoheshin “udhëheqësit” shqiptarë të ‘91. Po sot çfarë ndodh? Krerët e shteteve që iu referova më lart janë vetëm pjesë e historisë politike të vendeve apo partive përkatëse. Po në Shqipëri? Po ata persona. Edhe në politikë, edhe në sindikata, edhe në shtypin e “lirë” (në thonjëza, sepse çlirimi nga shteti u zëvendësua nga pushtimi i parasë) po ato fytyra. Vetëm më të shëndosha e më të plakura. Edhe në ato raste kur dikush tentoi të shkëputej, e bëri “gjoja”, sepse u rikthye me një pjesë të mbështetësve, thjesht, nën një tjetër vendim gjykate. Unë nuk i gëzohem këtij pluralizmi që na zëvendësoi një fytyrë me dy fytyra. Që na zëvendësoi anëtarët e Byrosë Politike me kryetarët e partive politike parlamentare dhe kandidatët e Byrosë Politike me krerët e partive që nuk kalojnë pragun elektoral. Nuk i gëzohem këtij pluralizmi që ca fytyra prej 17 vjetësh i japin të drejtë vetes të bëjnë çdo gjë, vetëm e vetëm që të vazhdojnë të kenë autoveturë, shoferë e sekretare të paguara nga para publike. Nuk i gëzohem këtij pluralizmi, që për 17 vjet na ka lënë “peshqesh” 15–20 fytyra. Nuk i gëzohem jo se kam ndonjë gjë personale me fytyrat e tyre, jo se na kanë zënë ekranet e televizorëve, por sepse janë kapur me thonj pas politikës, duke humbur çdo ndjeshmëri ndaj çfarë thonë apo nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për çfarë premtojnë.Ndjej detyrimin të shpreh publikisht respektin për ata persona që kur deklaruan se largohen nga politika (konkretisht nga PD) në emër të disa parimeve, ka 10 vjet që nuk e shkelin premtimin e tyre. U larguan për mendimin tim, sepse përveçse ishin bërë politikanë, kishin mbetur qytetarë. Nuk ka rëndësi fare nëse unë apo dikush tjetër ka mendime të ndryshme apo të kundërta me ta. Rëndësi ka që ata mbeten qytetarë dhe sjellja e tyre vazhdon të rrezatojë qytetari. Në se e keni të vështirë ta kuptoni, shikoni disa të tjerë që, edhe pse u ndanë para 10 vjetësh e nuk lanë llaf pa thënë, u rikthyen në “çetë” për t’iu bashkuar plaçkitjes.Megjithatë, sot nuk mjafton të jesh qytetar vetëm në kuptimin figurativ të fjalës. Edhe politikanët duhet të mendojnë e sillen si qytetarë. Në kuptimin më të përditshëm e më të prekshëm të kësaj fjale. Dhe që ta bëjnë një gjë të tillë, duhet të bëjnë së pari një marrëveshje me veten. Duhet të pranojnë që me njërën këmbë do të vazhdojnë të ecin si qytetarë. Të shohin me njërin sy si qytetarë. Të dëgjojnë me njërin vesh si qytetarë.Unë kam punuar 16 vjet në pozicione të ndryshme punë në administratën publike shqiptare të pas ‘90. Nga këto vite, 12 prej tyre janë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Në tre vitet e fundit, madje kam qenë drejtor i përgjithshëm. Gjatë Dialogut me Shqipërinë më ka ndodhur që, heshturazi, të pyes veten: “Ore, po kujt po ia kërkojmë përgjegjësinë për çfarë nuk është bërë? A kam unë, Ilir Beqja, të drejtë të kërkoj publikisht pse nuk janë bërë disa gjëra në Shqipëri”. Në 12 vjet në ISSH, nuk mbaj mend të na jetë refuzuar nga qeveria (politikanët) ndonjë propozim për ndryshime, përmirësime apo reforma. Megjithatë, krahasuar me nevojat e njerëzve dhe të vendit, pak, shumë pak, detyra na janë ngarkuar. Më lejoni të ilustroj me dy shembuj nga eksperienca ime e punës në ISSH. (1) Që prej më shumë se 10 vjetësh në ISSH, punohet për Numrin e Sigurimit Shoqëror. Në bazën e të dhënave të ISSH, janë të dhëna për rreth 3 milionë shqiptarë, dhe deri në fund të korrikut 2006 (deri në atë kohë kam punuar në ISSH), rreth 350 mijë shqiptarë e kishin marrë këtë numër. Në se kjo punë do të ishte marrë seriozisht nga politika, duhet të kish mbaruar që në vitet 2002–2003. Përveç përfitimeve në programe të ndryshme kombëtare, do të ishte lehtësuar shumë më tepër caktimi i pensioneve, do të ishte shkurtuar afati i lidhjes së pensionit dhe evituar sorollatja në kërkim të dokumentacionit të vjetërsisë në punë, do të realizohej më thjesht, më shpejt e më saktë pagesa mujore e kësteve të pensionit. Që të bëhej brenda afatit që thashë më lart, mjaftonte shumë pak. Mjaftonte të na caktohej një afat, të ndiqej zbatimi i tij, të viheshin në dispozicion fondet e nevojshme dhe të krijohej mjedisi i përshtatshëm administrativ, që numri të kthehej në domosdoshmëri për mbajtësin e tij. Përsëri pyes veten pse nuk u bë apo pse nuk qeshë në gjendje të bind politikën se duhet bërë. Përherë e më tepër më mbushet mendja se asnjë politikani, në vetvete, nuk ia ndjente për sorollatjen në caktimin e një pensioni. Më e shumta, që mund t’i shqetësonte ishte dëmi financiar nga ndonjë pension jo i drejtë. Mesa duket s’mund të ndodhte ndryshe. Politikanët kishin humbur çdo lloj lidhje qytetare me problemin. Nuk u interesonte dinjiteti i një pensionisti. Pensionistët ishin vetëm (dhe vazhdojnë të jenë) një llokmë e mirë elektorale, ndërsa pensionet e tyre zëri më i kushtueshëm i buxhetit të shtetit. (2) Pas shumë përpjekjeve arrita që në mars të vitit 2006 të rregulloj, me një ndërhyrje në një vendim të Këshillit te Ministrave, pagesën e “qindarkave” të këstit mujor të pensionit. Sipas disa llogarive të mija paraprake, çdo pensionist në muaj merrte mesatarisht 50 lekë më pak nga mungesa e monedhave në emisionet monetare apo mosfurnizimi i plotë me to. Mund të duket si diçka e vogël, por totali vjetor jep një shifër të frikshme. Në vitin e parë të zbatimit të rregullit, që vlera e dy shifrave të fundit të këstit mujor të pensionit jepet e akumuluar një herë në vit, shifra totale rezultoi 200 milionë lekë, ose me vlerën e sotme 2.4 milionë USD. Pra, çdo vit, politika kish lejuar që në mënyrë të padrejtë, 2.4 milionë USD të mos shkonin në xhepat e pensionistëve. E kish lejuar, sepse kish humbur ndjeshmërinë e qindarkave apo komunikimin qytetar me buxhetet familjare të pensionistëve. Edhe sot e kësaj dite, nuk besoj se politika e quan ndonjë arritje këtë gjë.Nuk i paraqita dy shembujt e mësipërm për t’u mburrur. Së pari, unë vetë e pranoj se krahasuar me çfarë duhet të kisha bërë, këto apo edhe të tjera nuk mjaftojnë. Së dyti, atë punë e kam bërë sepse kam pasur dëshirë dhe mbi të gjitha sepse jam paguar, sipas kushteve shqiptare, jo keq. Por edhe kushdo tjetër që mund të punojë aty, apo edhe diku tjetër, sado më i shkolluar, më i zoti, më i zgjuar apo më i motivuar të jetë se unë, nuk do të bëjë sa ç’duhet nëse nga politika nuk i jep detyra të qarta, ambicioze dhe sidomos nuk kontrollohet zbatimi i tyre. Të nesërmen e festës së FRESSH-it vijuam dialogun në Qarkun e Dibrës. Distanca e Peshkopisë me Tiranën është rreth 180 km. Rruga për në Peshkopi duhet të ketë ngelur në më të shumtën e saj, rruga më e keqe për në një qendër qarku. Madje, asaj rruge kalohet edhe për në kufirin shtetëror me FYROM. Pas ’90-ës më ka qëlluar që ta bëj atë rrugë çdo 3–4 vjet. Vazhdon të jetë copë–copë. Riparohet diku, por dëmtohet diku tjetër. E kështu vazhdon si në lojën “çel e mbyll”. Kur po ktheheshim nga Peshkopia m’u kujtua që në disa zgjedhje qendrore apo vendore, politika majtas apo djathtas në mënyrë të përsëritur ka premtuar “Rrugën e Arbërit”. Duhet të mos ketë mbetur asnjë fije qytetarie që pa pikë turpi të kesh kurajën të takohesh me njerëz që u ke dalë fjale disa herë. Mund të ketë akoma shqiptarë të dëshpëruar që pranojnë të gënjehen. I kam kërkuar Edi Ramës që të përpiqet të shmangë çdo lloj premtimi, që nesër nuk do të jemi në gjendje ta realizojmë. Unë vetë, në detyrën e nënsekretarit për programin, do të përpiqem që në programin e PS për mandatin e ardhshëm të mos ketë asnjë premtim apo angazhim të pambajtshëm. Në këto rreshta u përpoqa të shpjegoj se si e shoh unë politikën. Çfarë nuk duhet të bëjë ajo. Në fund të fundit për qytetarët nuk duhet të ketë shumë rëndësi se çfarë epiteti ka politika: e vjetër apo e re. Nëse më lart thashë, që politikanit një vesh e një sy duhet t’i mbeten qytetarë, e rëndësishme është që kushdo që vendos të bëjë politikanin, me gjithë zemrën të vazhdojë të ndjejë si qytetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›