E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët protestë pas aksidentit tragjik në Durrës

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Qytetarë të Durrësit zhvilluan sot një marshim-protestë drejt bashkisë lidhur me aksidentin tragjik ku humbën jetën dy mitur.

Në protestë morën pjesë familjarë të viktimave, banorë të zonës së ish-Kënetës, si dhe shokë e bashkëmoshatarë të fëmijëve, që u shuan nga aksidenti fatal.

Qytetarët u mblodhën pranë stadiumit “Niko Dovana”, nga nisën ecjen në këmbë përgjatë rrugës “Mujo Ulqinaku”, para drejtorisë së Policisë, për të ndaluar përfundimisht para bashkisë së Durrësit.

Ata mbanin në duar fotot e viktimave dhe pankarta me mbishkrimin: “Dy jetë të mitura u fikën! Ku është drejtësia?”, “Mos na lini në heshtje, kërkojmë drejtësi”.

Aksidenti i rëndë rrugor ndodhi më 3 maj në zonën e njohur si ish-Këneta, në Durrës ku një 57-vjeçar i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur përplasi tre të mitur.

Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve humbën jetën, ndërsa i mituri tjetër u plagos rëndë. Ai ndodhet ende në spital ku po merr kujdes mjekësor, por jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit është arrestuar ndërsa ka rezultuar se po drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›