Sejko: Tensionet në Lindjen e Mesme burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare.
Në konferencën për mediet lidhur me vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko tha se ndikimi i këtij konflikti në ekonomi dhe në inflacion do të varet dukshëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, duke e zhvendosur balancën e rreziqeve në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm.
“Bazuar në informacionin e disponuar parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore do të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim margjinal të ritmit të rritjes ekonomike në vend”, tha Sejko.
Sejko bëri të ditur se “ky parashikim faktorizon trendet pozitive të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, treguesit e përmirësuar të stabilitetit ekonomik e financiar, pritjet për përfundim relativisht të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe hapësirat e shtuara të reagimit të politikave tona makroekonomike”.
“Bazuar në këto premisa, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare edhe të mos lenë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit. Megjithatë, pasiguria për të ardhmen mbetet e lartë dhe balanca e rreziqeve mbi inflacionin është e zhvendosur në kahun e sipërm.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke mbetur vigjilent ndaj zhvillimeve në tregjet botërore dhe ndikimit të tyre në ekonominë shqiptare”, tha Sejko.
/k.s/r.e/