E Hënë, 2 Nëntor 2026

STAMBOLL – Turqia paraqet projektligjin për procesin e paqes me PKK-në

STAMBOLL, 5 gusht /ATSH-DPA/- Qeveria turke paraqiti në Parlament një projektligj që parashikon pezullimin e disa procedimeve penale dhe dënimeve me burg për anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), në kuadër të procesit të paqes.

Projektligji nuk përfshin lirimin apo një status të veçantë ligjor për liderin e burgosur të PKK-së, Abdullah Öcalan, si një nga kërkesat kryesore të organizatës.

Sipas draftit, ligji do të hyjë në fuqi vetëm pasi autoritetet të konfirmojnë se PKK-ja është shpërbërë dhe ka dorëzuar armët.

Ky konfirmim duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të publikohet në Fletoren Zyrtare.

Masat do të zbatohen për vepra si anëtarësimi në PKK, drejtimi i organizatës, ndihma ndaj saj, propaganda dhe financimi i terrorizmit, por nuk do të përfshijnë vrasjet me dashje të kryera në emër të PKK-së dhe dënimet me burgim të përjetshëm.

PKK-ja njoftoi shpërbërjen e saj në maj 2025, pas një thirrjeje të Abdullah Öcalan, duke i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar me shtetin turk.

Që atëherë, një pjesë e luftëtarëve kanë nisur dorëzimin e armëve dhe tërheqjen drejt veriut të Irakut.

Nëse projektligji miratohet, rreth 3 600 të burgosur mund të përfitojnë nga këto masa. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›