E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetaria shqiptare, peng e farave dhe marmitave

Nga Alban Sejdini

Një qen rrugësh edhe mund të mësohet të mos i lëshojë nevojat fiziologjike në çdo pemë, trotuar apo gomë makine në qendër të Tiranës apo të çdo qyteti tjetër. Një mashkull shqiptar, që përtyp fara e pështyn lëvozhga farash përtokë gjatë parazitizmit të tij të përditshëm e përnatshëm në të njëjtat vende ose në ecje e sipër, nuk po mësohet të mos e bëjë këtë gjë. Të hash fara e ti pështysh ato pa teklif në shesh thjesht nuk është sjellje prej të qytetëruarish. Madje, nuk është fare sjellje normale për standardet e shoqërisë njerëzore, por kjo është Shqipëria e fytyrave injorante në timonin e makinave super të shtrenjta. Në kohën e regjimit monist thuhej me shaka, se nevojitej pasaportë vetëm për të hyrë në kryeqytet, jo më për tu shpërngulur brenda natës në një tokë me ose pa zot. Në ditët e sotme, lëvizja e detyruar e të qytetëruarve është me kah jashtë shtetit, ndërsa lëvizja e lirë e të paqytetëruarve me kah brenda në qytete, pallate të shtrenjta dhe institucione. Kështu që lëvozhgat e farave në çdo trotuar të shtruar me tender janë tashmë atraksion turistik për turistët e huaj.

Qytetaria është shpesh e lindur, por zakonisht është e mësuar. Për këtë arsye mund të gjenden të qytetëruar në zonat më të harruara të vendit, po aq sa mund të gjenden të paqytetëruar në apartamentet luksoze të pallateve të larta në qendrat e qyteteve. Ndërsa robi i harruar është i detyruar të mbushë barkun me çtë gjejë e të bëjë sherr me ariun e ujkun, të anasjelltët jetojnë në pallatet e larta, kënaqen me qershi në dimër dhe bëjnë sherr luksi, se në cilin shtet të kalojnë fundjavën. E pikërisht nga dritaret e ballkonet e këtyre pallateve zgjaten shpesh duar me thonj të gjatë e të lyer bukur, që lëshojnë qesen e plehrave drejt e në trotuar. Një xham Rejnxhi ulet me buton në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës, sa për të fluturuar mbi asfalt apo mbi kofanot e makinave mbrapa letra, paketa, lëkurë bananesh, bërthama pjeshkash, kanoçe e plastika dhe po me buton ngrihet prapë xhami. Larg qoftë të shpikin ndonjë buton për pilot automatik në këto automjete si shtëpi dhomë e kuzhinë, se këta të paqytetëruar do të fillojnë të bëjnë seks edhe gjatë udhëtimit, duke bërë që në xhamin e makinave prapa të bënte pllaq ndonjë prezervativ i përdorur. Herët në mëngjes ose vonë në darkë ka edhe nga ato bukuroshet e botoksizuara, barkmëdhenjtë e stresuar dhe pleqtë e këtyre tipave, që nxjerrin qentë e tyre për xhiro e për nevoja personale drejt e në bulevard apo trotuar. Natyrisht që kafsha besnike do ti lëshojë ku të mundë jashtëqitjet e saj, por edhe kafsha pronare, e cila e mban me rrip për qafe, as që e çon nëpër mend të mbledhë pasojat e pavetëdijes së të ngjashmit të saj. Mirë era e pamja, por larg qoftë të shkelësh që në mëngjes në hapat e këtyre lloj kafshësh: do humbësh kohë duke fërkuar tabanin e këpucëve nëpër pemë e cepa trotuaresh, se me gjithë këto rrugë të shtruara nuk kemi më as ato pellgjet e bekuara.

Njeriu nga majmuni dallohet edhe për disa veprime të vogla, që ia mëson edukimi në familje, shkollë e shoqëri. Siç duket, shumë nga këta të paqytetëruar, të cilët i janë ngjitur qendrave urbane në këto 20 vite më keq se posterat elektoralë mureve të shkollave fillore, kanë pësuar avari gjatë procesit darvinian të shndërrimit. Për rrjedhojë, në këndvështrimin e qytetarisë, është sofistikuar varianti shqiptar i hermafroditëve: ardhurina. Shumica e këtyre qenieve, mendërisht e shpesh fizikisht në mospërputhje me atë që janë ose cepin që përfaqësojnë, përputhen me të njëjtën skemë e futen brenda të njëjtit kallëp. Të gjithë këta vishen me rroba të mira vetëm sepse janë të shtrenjta, jo sepse u shkojnë me tiparet dhe llojin e lëkurës së surratit. Të gjithë hanë dreka e darka nëpër restorantet më të shtrenjta vetëm sepse duhet ti shikojnë të tjerët aty, jo sepse u shijon ajo që hanë apo se e kuptojnë atë që u serviret. Vetëm kështu arrijnë të majmen e trashen, në mënyrë që të kenë arsye për të shitur mend, se po përdorin ato shërbimet dietë-taksi me 30 mijë lek në muaj. Të gjithë këta, ashtu si fëmijët e tyre me ose pa patenta, ngelin në trafik, kur nuk kalojnë dot me të kuqe, në timonin e makinave me marmita anti-mjedisore vetëm sepse u shkojnë me veshjen, jo sepse nuk zgjidhin dot punë me makina të vogla pro mjedisit. Shumica e këtyre tipave e tipeve e parkojnë makinën më keq se lopa bajgën, jo se nuk e dinë ku duhet parkuar, por se duhet të tregojnë që janë mbi lutjet e policit fakir dhe se duhet tia nxijnë jetën shoferëve të tjerë, pasi kështu u shikojnë automjetin. Larg qoftë të kesh mundësi ekonomike për të blerë e mbajtur në Tiranë një Rejnxh, Ikspesë apo Mëlë, se të marrin për ardhurinë dhe të trajtojnë si gjysmë limoni. Diter Ceçë, shefi i modh i Bencit, do ti shkulte mustaqet njëlloj si Albert Vërria te Kapedani, po të shikonte se si zhvlerësohet Gëlëja e Sëja nga ca tipa kokërrafsh, që hanë bukë e qofte në timon dhe që e përdorin makinën me gjujt nga gjimnazet.

Gjatë këtij tranzicioni të zgjatur kastile nga politikacot e zgjedhur, të zvjerdhur apo të imponuar, shqiptarët nuk po e kuptojnë akoma se mirëqenia tregohet nga barku si petë e jo nga plënci si fabrikë shqiptarçe e përpunimit të plehrave. Jashtë shikon pronarë fabrikash apo kryeministra nordikë, të cilët përdorin vetëm biçikletën si shenjë mirëqenieje e qytetarie. Në Shqipëri ti japësh biçikletës etiketohesh si pabuks, sepse mirëqenia duket nga trashësia e marmitës së fuoristradës. Në timonin e makinave të shtrenjta jashtë shikon kryesisht të rritur, me kostume, të kollarisur apo me papijon, ndërsa në Albania nga këto makina zbresin kryesisht tipa me tuta njëngjyrëshe ose me këpucë me majë e çorape të bardha dhe tipe më shumë të zhveshura se të veshura ose edhe plaka me gërsheta që u varen nga poshtë napës së bardhë. Nuk është justifikim fakti, se kësi pamjesh janë tepër të zakonshme edhe në vendet e tjera nga ana e djathtë e Perdes së hekurt. Rëndësi ka modeli, që zgjedh çdo qenie njerëzore gjatë përfshirjes në shoqërinë që e edukon dhe arsimon, por edhe shtresëzimi i drejtë i kësaj shoqërie, ku nuk i duhet dhënë përparësi të paqytetëruarit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›