Dr. Frankenshtajn lë shtratin dhe spektaklin
Çdo histori që tregon dështimin e përpjekjes për të krijuar me mjete gjysmë okulte e gjysmë shkencore një shëmbëlltyrë të re njerëzore, mund të bëjë një histori Frankenshtajni, vetëm nëse do të jetë në gjendje të aktivizojë te ne efektin ndjesor të horrorit, si zhanër. Zhvendosja e një historie gotike nga gjuha e shkruar te ajo vizuale, është një eksperiment që shoqërohet me të njëjtin shqetësim: sa mund tia arrijë artisti të japë një shëmti të bukur që të ketë efektin e ndodhisë?
Ekspozita Nën trysni shtrihet përgjatë gjithë gjerësisë dhe lartësisë së Galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore, Universiteti i Arteve. Ajo ndahet në tri dhoma që ofrojnë faza evolutive të spektaklit të horronit.
Në një tryezë qelqi në hyrje janë shtruar gota për festë me një lëngë me ngjyrë të zi. Eliziri i jetës? Solucion për preparate kimike.
Dhoma e parë është e mbushur me bidonë qumështi, që janë përmbysur sikur të kenë mbajtur pesticide.
Në këtë hapësirë ekspozimi çdo objekt i njohur ka dalë nga kuptimi ynë i parë.
Përparëset e onduluara metalike që imitojnë përparëset lëkurë të kasapit, janë varur si pas pune. Dhoma i ngjan një morgu, po edhe një thertoreje. Nuk është as njëra, as tjetra. Sepse impresionet e frikës prej gjakut dhe vdekjes që sugjeron vendngjarja, orientohen te një proces meditimi dhe relaksimi nëpërmjet elementeve arredues, hidrosanitaret dhe sendet prej druri e qelqi. Librat e anatomisë me të cilët ka studiuar në rini ndërtimin e trupit njerëzor Sadik Spahia, janë hapur në tryezë si tekste për mrekullitë e alkimisë mbi muskujt e një të vdekuri: ndërtimi i faringut, zorra e verbër, zorra kolon.
Një peshore për matje super të sakta, dhe një orë muri e vjetër që ka të vizatuar një diamant në qendër të fushës, janë objekte marrë nga Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik, e njohur si uzina e floririt. Futja e tyre në kontekstin e ekspozitës pasuron leximin.
Në muret e veshura me pllaka porcelani janë ngjitur foto të vjetra bardhezi që paraqesin aspekte nga stërvitja ushtarake e njerëzve në vitet e ndërtimit të Shqipërisë socialiste: Rregulli, regjimi, precizoni klinik në reparte ushtarake, kolonat uniformë pa dallim gjinie, moshe e profesioni.
Dhoma e dytë dhe tretë duken më vete për shkak të mureve ndarëse të galerisë. Por ato tregojnë dhe dy faza të ndryshme të një eksperimenti të Dr. Frankenshtajnit. Në të dytën eksperimenti ka dalë jashtë kontrollit. Mostrat e metaleve të çmuara janë vetëm një remineshencë e qëllimit të mirë që ka devijuar dhe ka prodhuar një rrjetë monstrash. Megjithatë, nëse deri këtu është ndjerë akoma aroma e njeriut dhe e punëve të tij, në dhomën e tretë ku ngrihet një kafaz me susta shtretërish, njeriu ka ikur përfundimisht.
Instalacioni skulpturor i Sadik Spahisë i ngritur në një shtrirje gjigante është një konstelacion shenjash të dhunës dje dhe sot. Arkivi fotografik i popullit ushtar dhe reliket e uzinës së bakrit për përpunimin e floririt në Rubik janë esenca romantike që ideologjia i përpunon me mjetet e trysnisë.
Intervista me artistin Sadik Spahia
Zoti Spahia, ekspozita të tërheq në atmosferën e dhunës: është e ngarkuar me elemente që sugjerojnë impresion të fortë. Cila është origjina e këtij projekti?
Projekti ka një kohë të gjatë që ka filluar. Për një kohë të gjatë kemi biseduar me muratorin Edi Muka, për ta zhvilluar sa më gjerë dhe për të ardhur në një shtrirje të tillë. Ska qenë thjesht një punë tavoline, ka qenë një punë eksploruese. Ajo çka kemi dashur të rrokim kërkonte që të vëzhgonim sa më shumë, pavarësisht se është një eksperiencë që na vjen nga vetë jeta jonë, nga ajo që kemi përjetuar.
Ideja është që të sjellim këtu se si formohen mentalitetet, se si njerëzit ndryshojnë nën presionin e pushteteve të ndryshme, politik, social, mediatik, e me radhë.
Kërkimi në terren ku është bazuar?
Kam studiuar kryesisht territore ku ushtrojnë aktivitetin grupe të mëdha njerëzore, fabrikat e dikurshme, uzinat, shkollat, ambjente dhe aktivitete që janë zhvilluar përpara edhe pas nëntëdhjetës. Nuk ndalem në një periudhë të kaluar ose në një të sotme. Është një kërkim i cili e shoqëron përgjithësisht qenien njerëzore dhe në këtë drejtim, jam ndalur në ato momente kur pushteti i çfarëdo forme krijon deformacione.
Në Rubik, në uzinën e braktisur, të gjitha makineritë ishin kthyer në përbindësha, gjithçka ishte e braktisur dhe kërcënuese. Njerëzit silleshin rrotull atyre makinerive për të kërkuar një shpresë e cila kishte vdekur.
Prej tyre keni marrë esencat? Mostrat e kërkimeve për flori nga Rubiku dhe nga arkivat imazhe fotografike që flasin për uniformitetin e njeriut?
Imazhet në mur janë marrë nga shtypi dhe kronikat e kohës dhe unë nuk i përpunoj por i paraqes si dokument. Edhe objekte të tjera janë mbledhur në këto ambiente ku përgjithësisht individi-njeri është i përhumbur, nuk ekziston. Ajo çka shohim të konkretizuar nga ky megraprojekt, nga ky terren arkeologjik që ne përpiqemi ti heqim hirin, janë disa objekte si monstra. Detajet njerëzore që janë këtu në mënyrë superrealiste por të cilat nuk arrijnë të krijojnë tërësinë e tyre, mbesin të shkëputura dhe prodhojnë objekte që janë kërcënuese për ne, sepse nuk janë pjesa natyrale e jetës. E gjithë situata është një laborator i madh, alkimik, jo në funksion të jetës, një lloj trysnie që ushtrohet që në fëmijëri deri në moshën e vonë. Ka zhvillime të cilat nënkuptojnë që nuk ka një kohë të ndaluar ku pastaj vjen plotësisht e mira. Njeriu kërkon, njeriu gabon, njeriu ngrihet përsëri në këmbë për të ndërtuar jetën e vet dhe ne përpiqemi të kuptojmë ku janë gabimet. Në njëfarë mënyre, është një përpjekje njerëzore që i takon njerëzimit në tërësi.
Përparëset metalike, tubat plastikë si enë të zbrazura gjaku, ose sustat sikur janë marrë nga psikiatria…
Përparëset që përdoren aty ku theren bagëtitë, i kam marrë nga ky sistem dhe i kam zëvendësuar me një element metalik sepse në vetvete është një objekt kërcënues dhe vetë ai propozon. Njerëzit e përftojnë materialisht idenë që po kërkoj. Objektet plastike në shumësinë e tyre krijojnë organe të çuditshme ku lëvizin lëngjet kimikë apo alkimikë dhe në tërësi duke u bashkuar me objekte të stërmëdha të laboratorit, krijojnë qenie të cilat nuk janë miqësore për ne, pra krijojnë monstra të tjera.
Ndërsa krevatet që gjinden në spitale, në ushtri, atje ku bëhet një jetë kolektive, ku ekzistojnë ëndrrat tona të fshehta, janë kthyer në një kafaz, struktura e të cilit është marrë nga mjedise ku dëfrehet, nga mjediset e natës, e diskove, e striptizave etj.. Është postprodukti i gjithë gjërave që bëjmë ne.
Dy elemente personale kishte ekspozita: dy libra anatomie të kohës së studimeve…
Sepse ky është një kërkim për një kohë që kam jetuar. Dhe natyrisht që kam vendosur gjëra që mund të jenë personale ose të miqve të mi.
Nuk është hera e parë që ju zgjidhni këto përmasa prezantimi dhe zhvilloni një element që merr shkas nga një fenomen kolektiv, nga një grup shoqëror. Kujtojmë instalacionin e kapelave të policëve të shtetit, i cili qëndroi disa vjet i ekspozuar në Galerinë Kombëtare si vepra juaj përfaqësuese në pavijonin e veprave të artit bashkëkohor shqiptar të pas nëntëdhjetës.
Çdo njeri ka detyrën e vet në zgjedhjen që bën karshi shoqërisë, mjedisit, njerëzve. Detyra e artistit është që të mos jetë një person që e dekoron jetën, por që e përmirëso
