E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i Vlorës, në kërkim të ujit dhe dritave

PROBLEMET/ Vijojnë defektet në energjinë elektrike, si dhe në furnizimin me ujë të pijshëm të zonës bregdetare

VLORË - Pas zgjedhjeve, një tjetër defekt ka ndëshkuar qytetin e Vlorës e aq më tepër turistët që kanë zgjedhur këtë vend për të kaluar pushimet e tyre. Një defekt në linjën 35 kilovolt ka penguar furnizimin normal me energji elektrike në disa zona të qytetit të Vlorës.


Defekti i ndodhur dy ditë më parë ka penalizuar me mosfurnizimin e energjisë kryesisht zona të Ujit të Ftohtë, ndërsa mungesa e furnizimit pikërisht me energji pikërisht në zonën e motopompave të ujit ka bërë që gjithçka të pasqyrohej edhe në furnizimin me ujë të pijshëm.


Ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar prishjen e regjimit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në të gjithë qytetin e Vlorës , si dhe në zonat turistike. Të pakta janë zonat që furnizohen me ujë të pijshëm, ku kryesisht futen ato që marrin me rrjedhje të lirë.


Nuk kanë qenë të pakta ankesat e banorëve në ndërmarrjen e ujësjellësit, por nga këta të fundit përgjigjja ka ardhur se nuk kanë pasur asgjë në dorë, për shkak të ndërprerjeve të energjisë në nënstacionet furnizuese me ujë të pijshëm.


Sipas punonjësve të elektrikut, ndërprerjet shkaktohen si pasojë e ngarkesës së rrjetit, por burime zyrtare pohojnë se gjithçka është ndikuar nga një defekt në linjën 35 kilovolt në nënstacionin e Babicës.


Shefi i njësisë së OSSH-së për Vlorën, Dhimitraq Kovi, pohon se ka qenë pikërisht ky defekt në këtë linjë që ka ndërlikuar situatën. Sipas tij, është punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për riparimin dhe dje defekti është rregulluar. Ai vijon duke thënë se nuk ka më problematika, ndërkohë që ka mohuar të ketë urdhra të dhënë për ndërprerje të energjisë. "Energjia do të vijojë me furnizimin siç ka qenë", shprehet ai.


Gjithsesi, situata e mungesës së energjisë vjen e përsëritur për zonën e Ujit të Ftohtë, si dhe disa zonave të tjera në qytet. Pushues që akomodohen në këtë zonë janë përballuar këto ditë me ndërprerje të furnizimit, ndërkohë që shumë ankesa kanë ardhur edhe nga njësitë e akomodimit apo edhe bare e restorante, për shkak se një situatë e tillë paszgjedhore po pengon zhvillimin normal të turizmit në qytetin bregdetar.


Nuk janë të paktë ata që kanë ngritur dyshimet se mungesa e dritave e si pasojë e ujit në Vlorë, është edhe një ndëshkim për votën e 28 qershorit. E hedhur poshtë nga zyrtarët, ende vijon të mos jepet një shpjegim se pse Vlora vazhdon të ketë kaq shumë probleme në këtë sezon veror.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›