Histori tronditëse në Lezhë, babai marrëdhënie seksuale me të bijën prej një viti
LEZHË - Një 63-vjeçar nga fshati Tale i Lezhës është arrestuar nga policia pas denoncimit të bërë nga e bija, e cila akuzon të atin se e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë.
P.D. është prangosur në shtëpinë e tij, pasi e bija 21-vjeçare ka marrë kurajën për të denoncuar incestin që kryhej me të, duke i dhënë fund torturës prej gati një viti.
Dhuna psikologjike dhe seksuale ndaj vajzës nga fshati i vogël i Tales ka marrë fund kur e dhunuara është bindur nga motra e saj për të denoncuar të atin. Vetëm 4 muaj më parë bashkëshortja e 63-vjeçarit i kishte dhënë fund jetës së saj, ndërsa mësohet se shkak ka qenë pikërisht incesti që babai kryente me të bijën.
Ngjarja
Fundi i një dhunimi seksual të vajzës 21-vjeçare nga fshati Tale i Lezhës do të vinte pikërisht pas këmbënguljes që vajza tjetër e kësaj familjeje do të kishte për të bindur të motrën që të paraqitej në polici e të bënte një dëshmi rrënqethëse. Ajo çfarë ndodhte në shtëpinë e familjes prej një viti ishte një traumë e vërtetë për pjesëtarët e tjerë.
Vajza ka treguar në polici sesi i ati kryente marrëdhënie seksuale me të nën kërcënime, ndërsa frika e opinionit ka qenë ana tjetër e medaljes për të cilën ka vonuar edhe denoncimi. Për incestin në mes të babait dhe vajzës ishte në dijeni edhe pjesa tjetër e familjes, por në asnjë rast ata nuk mundën për të denoncuar apo për t'i dhënë fund kësaj tragjedie për vajzën 21-vjeçare.
Duke mos mjaftuar incesti, një tjetër ngjarje ishte shënuar në këtë familje 4 muaj më parë, kur bashkëshortja e 63-vjeçarit i ka dhënë fund jetës, ndonëse misteret e vetëvrasjes do të zbuloheshin vetëm pas arrestimit të kryefamiljarit.
Vetëvrasja e nënës
Nga dëshmitë e marra është mësuar se nëna e vajzës ka qenë në dijeni të këtij akti të turpshëm nga bashkëshorti i saj dhe nuk ka mundur ta kapërdijë ngjarjen dhe ka vendosur t'i japë fund jetës.
Siç duket vendimi për t'u vetëvrarë ka qënë zgjidhja e vetme për gruan e moshuar, e cila nuk ka gjetur asnjë rrugë tjetër për të ndryshuar fatin e së bijës. Ende nuk dihet sesi ka filluar kjo situatë në familje. Hetimet dhe dëshmitë e vajzës së dhunuar seksualisht dhe motrës së saj do të hedhin dritë mbi këtë histori tronditëse.