Berisha mbush 65 vjeç, dhurata dhe buqeta lulesh
Gota me shampanjë dhe buqeta lulesh. E tilla ishte panorama e djeshme në korridoret e selisë së Kryeministrisë. Sebepi për këtë situatë ka shërbyer ditëlindja e kreut të qeverisë Sali Berisha. Ky i fundit kaloi 65-vjetorin, në një ditë normale pune, nën shoqërinë e këshilltarëve, ministrave dhe Kryetares së Kuvendit. Të gjithë ministrat i dhuruan Kryeministrit një pjatë argjendi në të cilën shkruhej "one man with courage makes a majority", (një burrë me kurajë bën diferencën). Ndërkohë që gotat me shampanjë dhe lulet mbushën dje gjithë godinën e Këshillit të Ministrave. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u pa mesditën e djeshme në selinë e Kryeministrisë dhe shporta me lule ishte dhurata e nënkryetares së PD-së për një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij. Gjatë ditës, shefi i mazhorancës priti në një takim special fëmijë, nxënës dhe studentë, duke e cilësuar urimin e tyre si më të veçantin në 65-vjetorin e tij. Reformat e ndërmarra nga qeveria ishin çështja që zuri pjesën më të madhe të takimit të Kryeministrit me nxënësit dhe studentët. Nga ana e tyre, këta të fundit shprehën interesin e tyre për arsimin dhe për sistemin e internetit të ngritur në të gjitha shkollat e vendit. Kryeministri i siguroi ata se në vitet e ardhshme do të vijohet edhe më tej me reformat në arsim, për të zgjeruar universitet, rritur cilësinë e tyre dhe për të siguruar vendet e lira të punës, që të gjithë të diplomuarit të mund të angazhohen për njohuritë e marra në shkollë. Në mesditë, në orën 13.00, Berisha mblodhi në selinë e Kryeministrisë të gjithë anëtarët e kabinetit, për të cilët ka organizuar edhe një kokteil. Nga ana e tyre, ministrat i dhuruan shefit të kabinetit qeveritar edhe surprizën e tyre. Ministrja Majlinda Bregu, si e vetmja zonjë e kabinetit qeveritar ishte caktuar nga kolegët për t‘i dorëzuar pllakën e argjendtë Kryeministrit. Në këtë shkëmbim urimesh, Kryeministri Berisha i falënderoi ministrat për kontributin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave të ndërmarra së bashku dhe i siguroi se katër vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshëm. Festa në Kryeministri ka nisur që prej orëve të para të mëngjesit dhe ka përfunduar pas drekës. Pavarësisht ditëlindjes, Berisha iu përmbajt punës për të respektuar me përpikmëri axhendën e tij. Ai ishte i pranishëm në javën europiane të demokracisë lokale dhe në seancën parlamentare. Përtej festës dhe gotave të shampanjës, anëtarët e kabinetit qeveritar janë njohur edhe me progres raportin e KE-së. Në 65-vjetorin e Kryeministrit, pjesa më e madhe e deputetëve ka pasur në dorë pjesën e raportit të KE-së për Shqipërinë. Shumica parlamentare dhe qeveria e vlerëson si pozitiv raportin duke theksuar me zë të lartë se për herë të parë në Shqipëri zgjedhjet kanë qenë të lira.