REPUBLIKA ÇEKE – Të paktën 60 të plagosur pas përplasjes së dy trenave

PRAGË, 20 nëntor /ATSH/- Pesëdhjetë e shtatë persona janë plagosur në një aksident hekurudhor në jug të Republikës Çeke, pesë prej të cilëve në gjendje rëndë, raportoi sot agjencia çeke e lajmeve CTK.
Aksidenti ndodhi pas orës 6:00 të mëngjesit – kur një tren me shpejtësi të lartë u përplas me një tren tjetër pasagjerësh që udhëtonte në drejtim të kundërt pranë qytetit Ceske Budejovice, i cili ndodhet rreth 50 kilometra larg kufirit gjermano-austriak.
Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë. Forcat e emergjencës, përfshirë 11 ambulanca dhe një helikopter, u dërguan në vendngjarje midis qyteteve Zliv dhe Divcice.
Inspektorati hekurudhor ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit.
Testet e alkoolit të kryera ndaj makinistëve të trenit dolën negative, sipas policisë.
Pesë personat që pësuan plagë të rënda u dërguan në spital në Ceske Budejovice.
“Ky aksident ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është të vazhdohet zgjerimi i sistemeve moderne të sigurisë si ETCS”, shkroi drejtori i përgjithshëm i administratës hekurudhore, Jiri Svoboda në X.
“Konvertimi në Sistemin Evropian të Kontrollit të Trenave (ETCS) është përfunduar tashmë në një sipërfaqe hekurudhore prej 620 kilometrash”, shtoi ai. //a.i/