RF, SHQIPËRI-PORTUGALI 1-2Rekord shikuesish në “Qemal Stafa”, rreth 16 mijë të tillë, si kurrë më parë në këto 10 vitet e fundit. Shqipëria e veshur me bluzë të kuqe e mbathje të zeza, ndërsa Portugalia e veshur komplet në të bardhë. Presidenti

SHQIPËRI-PORTUGALI 1-2
Shënues: Bogdani 28/ Almeda 27’, Alvez 94'
El.Kampionatit Botëror, Grupi 1
E shtunë, 6 qershor 2009, ora 20:45
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
Shqipëria: Hidi, Vrapi, Cana, Curri, Vangjeli, Bulku, Beqiri, Agolli, Duro (87' Berisha), Skela, Bogdani (64' Salihi). Tr.: Josip Kuzhe
Portugalia: Eduardo, Alvezh, Karvaljo (75' Nani), Bosingva, Meireles, Pepe, Deko, Ronaldo, Boa Morte (46'Simao), Hugo Almeda (69' Edinjo). Tr.: Karlos Keiroz
Gjyqtarë: Florian Mejer (Gjermani)
Kartonë të verdhë: Curri (SH), Agolli (SH), Meireles (P), Pepe (P)
94’ –Shqipëri-Portugali 1-2. Isli Hidi doli në mënyrë të gabuar, duke humbur duelin ajror me mbrojtësin e Portos, Bruno Alvezh. 27-vjeçari i ardhur nga thellësia e mbrojtjes shënoi golin e dytë të Portugalisë, duke i dhuruar ekipin të tij tri pikë të arta dhe ëndrrën për të mbajtur gjallë shpresat për në finalet e Botërorit 2010. Sërish ndëshkohemi nga fataliteti historik i minutës së fundit.
90’- Pesë minuta shtesë nga gjyqtari i katërt Babak Rafati.
87’-Klodian Duro i lë vendin Besart Berishës (ndeshja e 16-të e kosovarit). Një ndërrim taktik i Josip Kuzhes, i ndjekur nga sytë e Oto Bariçit.
80’- Mbrojtësi i Realit të Madridit, 26-vjeçari Pepe (17 ndeshje) frenoi në mënyrë të parregullt Salihin (13 ndeshje). Karton i verdhë për portugezin.
77’- Pepe vendosi bërrylat mbi Salihin, duke e rrëzuar keq Salihi. Një goditje e lirë nga 17 metra, në pozicion të prirët. Topi i goditur nga Skela u devijua nga muri portugez.
68’- Klodian Duroi fitoi dhe ekzekutoi një goditje të lirë, harkimi i mesfushorit tonë (58 ndeshje) gjeti kokën e Salihit, por 25-vjeçari shkodran e goditi sferën në rënie e sipër mbi kuadrat. Një Shqipëri e bukur dhe padrone e fushës.
65’- Hamdi Salihi, 14 gola në kampionatin austriak, fitoi goditjen e parë nga këndi. Shqipëria vazhdoi presionin e saj, që nis që nga gjysmëfusha jonë.
64’- Erjon Bogdani i lë vendin Hamdi Salihit. Sulmuesi i Kievos largohet nën duartrokitjet e fuqishme të 16 mijë tifozëve. Kori nga të gjitha tribunat: “Erjon Bogdani... Erjon Bogdani...!”, “Duam fitore!”. Bogdani, i cili festoi ndeshjen e tij të 50-të me gol, i 10-ti për të, i përshëndeti tifozët më duar nga bankina.
58’ – Erjon Bogdani u fut në zonë nga e majta sulmit tonë, mbrojtësi i Çelsit, Rikardo Karvaljo, ndërhyri nga pas, duke rrëzuar sulmuesin shqiptar, por gjyqtari gjerman nuk akordoi penallti. Kapiteni Skela i ankohet në gjuhën gjermane Majer
54’ – Kristiano Ronaldo ekzekutoi një goditje të lirë nga rreth 30 metra. Gjuajtja e tij qendrore u grushtua fillimisht nga Hidi, e më pas portieri shqiptar, në ndeshjen e tij të 11-të me përfaqësuesen e priti në dy kohë. Dy gola të sigurt të shmangur nga tiranasi, i cili luan në Ukrainë me Krivbasin, ashtu si Bulku dhe Bylykbashi.
53’- Ansi Agolli (Shqipëri) dhe Raul Meireles (Portugali) u ndëshkuan me kartonë të verdhë.
46’- Nis pjesa e dytë. Topi i parë luhet nga Shqipëria. Kamerat televizive fokusohen mbi disa pankarta tallëse për Kristiano Ronaldon. “Ronaldo, Miss Bota 2010”.
45’+2. Gjyqtari gjerman Mejer mbylli pjesën e parë. 1-1. Shqipëria me një paraqitje të mirë, teksa në fund të fraksionit t parë, Lorik Cana fitoi një duel “kokë më kokë” me Kristiano Ronaldon.
28’- Shqipëri-Portugali 1-1. Fantazisti i Shqipërisë, Ervin Skela ndërmori një veprim të bukur nga majta e sulmit tonë, harkoi në zonë drejt Erjon Bogdanit, dhe aty sulmuesi i Kievos kërceu fuqishëm me kokë, duke vendosur ekuilibrat 1-1 brenda 60 sekondash. Goli i 10-të i Bogdanit, në ndeshjen e 50-të tij me përfaqësuesen. Bogdani u ngjit në kuotën e dy golave në këto eliminatore, pas golit të shënuar ndaj Maltës (3-0). Nga ana tjetër, Erjoni barazoi Ervin Skelën e Sokol Kushtën përsa i përket numri të golave, nga 10-të.
27’ - Shqipëri-Portugali 0-1. Hugo Almeda shmangu Ervin Skelën, lëshoi një top brenda zonës së vogël, Curri rrëshqiti, dhe aty Hugo Almeda i pa mbuluar nga Lorik Cana shënoi golin e parë për Portugalinë. Goli i 4-t me Kombëtaren i sulmuesit 25-vjeçar të Verder Bremenit, në ndeshjen e tij të 20-të më luzitanët.
24’- Pas frenimi të Skëlës, kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, goditi fuqishëm nga rreth 30 metra, portieri Eduardo priti në dy kohë. Ndeshja e 4-t ndërkombëtare për 26-vjeçarin e Sportingut të Bragës.
20’- Debatik Curri u ndëshkua me një karton të verdhë, pasi mbrojtësi i Vorskla Poltavës ndërhyri rëndë në drejtim të Kristiano Ronaldos. Kartoni i parë i verdhë.
12’- Mesfushori Klodian Duro lëshoi një top në drejtim të mbrojtësit Elvin Beqiri, të rreshtuar në këtë takim në mesfushë nga trajneri Josip Kuzhe (risia e tij), por lojtari i Vllaznisë, pengohet, duke fituar një faull rreth 30 metra larg portës së mbrojtuar Eduardo i Sportingut të Bragës.
8’- Ronaldo, fituesi në fuqi i “Topit të artë”, në ndeshjene tij të 65-të ndërkombëtare kundër Shqipërisë, ndërmori një sllallom nga e djathta e sulmit të Portugalisë, duke fituar një goditje të lirë nga 20 metra. Gjuajtje e Ronaldos përfundoi jashtë kuadratit.
4’- Mesfushori i fuqishëm i Krivbasit, Ervin Bulku, në një duel të fortë me Kristianon Ronaldon, kapitenin e Portugalisë, ylli i Mançesterit nervozohet dhe gjyqtari gjerman Mejer këshillon dy lojtarët. Sfida e nxehtë qysh në minutat e para. Kori i tifozëve shqiptarë: “Duam fitore, duam fitore...!”.
1’- Topi i parë nga formacioni portugez. Mesfushori i Çelsit, Deko, goditi topin e parë në sfidën jetike për Portugalinë në “Qemal Stafa”. Ndeshja e 64-për Dekon, ashtu si dhe për kapitenin e Shqipërisë, në këtë takim, Ervin Skela.
Rekord shikuesish
Rekord shikuesish në “Qemal Stafa”, rreth 16 mijë të tillë, si kurrë më parë në këto 10 vitet e fundit. Shqipëria e veshur me bluzë të kuqe e mbathje të zeza, ndërsa Portugalia e veshur komplet në të bardhë. Presidenti Bamir Topi në tribunën “VIP”.
Tifozët portugezë
Rreth 200 tifozët luzitanë ishin të pranishëm në “Qemal Stafa” për të mbeshtëtur Kombëtaren e tyre. Në Tiranë ka mbi 20 gazetarë portugezë të televizioneve, gazetave, agjencive të lajmeve në internet e asaj zyrtare Lusa.
Oto Bariç
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati Oto Bariç, ishte i ftuari special i Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndjekur në “Qemal Stafa” takimin e Shqipëri-Portugali, që përkoi edhe me debutimin e mikut të tij, kroatit tjetër Josip Kuzhe.
BOTËRORI 2010
JAPONIA
Japonia u bë vendi i parë që u kualifikua për finalet e Kupës së Botës 2010 pas fitores 1-0 kundër Uzbekistanit. Japonia u ngjit në krye të grupit 1 të Azisë, me 14 pikë, duke zënë matematikisht një vend i kualifikimeve direkt.
AUSTRALIA
Pas Japonisë, edhe Australia u kualifikua për Botërorine Afrikës së Jugut. Australianët nuk shkuan më shumë se rezultati 0-0 em Katarin, në Doha, por u mjaftoi për të prerë biletën e dytë nga grupi 1 i zonës aziatike.
GRUPI 6
Anglia mundi në transfertë 4-0 Kazakistanin. Golat u realizuan nga Berri, Heski, Runi e Lampard (me penallti). Kjo është fitorja e gjashtë rresht e formacionit të Kapelos. E para në grupin 6, me 18 pikë, Anglia është një hap larg kualifikimit në Botëror.
GRUPI 4
Uellsi fitoi 1-0 me Azerbajxhanin. Golin deciziv e realizoi Eduards në minutën e 42-të. Finlanda, po në grupin 4, fitoi 2-1 me Lihteshtejnin. Miqtë kaluan në avantazh me Frik (13’), barazoi për Finlandën, Forsel (33’). Johanson (78’) fiksoi shifrat 2-1.
GRUPI 3
Sllovakia mundi San Marinon 7-0. Golat u realizuan nga Marek Cech (3', 32'), Pekarik (12'), Stoch (35'), Kozak (42'), Jakubko (63' st) dhe Hanzel (78'). Me këtë fitore Slovakia u ngjit në krye të grupit me 15 pikë, dy më shumë se Irlanda e Veriut.
E Shtune, 06 Qershor 2009