RIAD – Gjermania ofron ndihmë humanitare me vlerë 50 milionë euro për Sirinë

RIAD, 12 janar /ATSH-DPA/- Gjermania do të sigurojë 50 milionë euro shtesë si ndihmë humanitare për Sirinë, tha sot ministrja e Jashtme Annalena Baerbock në konferencën ndërkombëtare në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.
“Paratë, që do t’i shpërndahen Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së dhe organizatave të ndryshme joqeveritare, do të përdoren për ushqim, strehim emergjent dhe kujdes mjekësor”, tha Baerbock.
Ministrja gjermane diskutoi gjithashtu perspektivën e lehtësimit të disa sanksioneve kundër Sirisë.
“Sanksionet kundër anëtarëve të regjimit të ish-sundimtarit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, i cili kreu krime të rënda gjatë luftës civile, do të duhet të mbahen”, tha ajo.
“Por, qeveria gjermane po propozon një “qasje të zgjuar” për Bashkimin Evropian për të mbështetur shpejt popullsinë siriane, duke siguruar që të ketë ushqim për të ngrënë dhe më shumë energji elektrike çdo ditë në mënyrë që rindërtimi të mund të fillojë”, tha Baerbock.
“E gjithë kjo promovon stabilitetin dhe siguron një transferim paqësor të pushtetit”, tha ajo.
Përveç Baerbock, pjesëmarrës në konferencë janë ministrat e Jashtëm nga shtetet arabe, ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shibani, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, ministri i Jashtëm britanik David Lammy dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas.
Ndër temat e tjera të diskutimit ishin procesi politik për stabilizimin afatgjatë të Sirisë, situata humanitare dhe rindërtimi i vendit. //a.i/