RIAD – Samit panarab për përgjigjen ndaj planit të Trump për Gazën

RIAD, 14 shkurt /ATSH-AFP/ – Riadi do të presë një samit të pesë vendeve arabe, më 20 shkurt, për të përpiluar një përgjigje të përbashkët ndaj planit të Donald Trump për të zbrazur Gazën nga banorët e saj, në mënyrë që të rindërtojë territorin nën kontrollin amerikan.
”Ky samit, i cili mbledh së bashku liderët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Jordanisë, së bashku me Autoritetin Palestinez, duhet të shqyrtojë tërësisht planin e Trump dhe të përpilojnë një përgjigje panarabe”, theksojnë burimet.
Ai do të zhvillohet disa ditë përpara atij të planifikuar për 27 shkurt në Egjipt, tha një tjetër burim i afërt me qeverinë saudite.
Sipas të njëjtit burim, takimi në Riad do të nënvizojë refuzimin e “zhvendosjes së banorëve të Gazës” dhe “transferimin e tyre jashtë këtij territori’’.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas ose kryeministri Mohammad Mustafa pritet të marrin pjesë në samitin e Riadit.
Presidenti amerikan ka propozuar vendosjen e Rripit të Gazës nën kontrollin e SHBA-së për ta transformuar atë në një “rivierë të Lindjes së Mesme” dhe për të zhvendosur 2,4 milionë banorët e saj kryesisht në Jordaninë dhe Egjiptin fqinjë.
Vendet arabe e kundërshtuan njëzëri këtë plan dhe çdo perspektivë për zhvendosjen e palestinezëve nga tokat e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se ”Shtetet e Bashkuara janë të hapura ndaj propozimeve nga vendet arabe për fatin e territorit palestinez”, ku një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi që nga 19 janari, pas 15 muajsh lufte.
Donald Trump ka paralajmëruar Egjiptin dhe Jordaninë për pasojat që mund të lindin nëse këta dy partnerë të ngushtë të Shteteve të Bashkuara nuk pranojnë të mirëpresin qytetarët e Gazës.
“Të gjitha këto vende shpjegojnë se sa shumë kujdesen për palestinezët, por asnjëri prej tyre nuk dëshiron t’i mirëpresë. Asnjë prej tyre nuk ka bërë kurrë asgjë për Gazën në këtë drejtim”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Jordania tashmë pret më shumë se dy milionë refugjatë palestinezë.
Gati gjysma e 11 milionë banorëve të mbretërisë janë me origjinë palestineze.
Egjipti, nga ana e tij, njoftoi se do të paraqesë një “vizion gjithëpërfshirës” për rindërtimin e Gazës, në mënyrë që të sigurojë që palestinezët të mbeten në tokën e tyre./ /os/