RIGË – Vendet baltike theksojnë sigurinë në përgjigje të fitores së Trump

RIGË, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit balltikë e uruan Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet amerikane, ndërsa në të njëjtën kohë theksuan nevojën për siguri.
“Estonia vlerëson aleancën e saj të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të bazuar në idealet e përbashkëta demokratike dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë globale”, shkroi presidenti estonez, Alar Karis.
“Ne presim që të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në vitet në vijim”, tha ai.
Homologu i tij lituanez, Gitanas Nauseda tha se SHBA-ja ishte një aleate kyçe strategjike, duke shtuar se uniteti transatlantik ishte vendimtar.
“Ne të dy e marrim seriozisht sigurinë tonë”, shkroi ai në X, duke vënë në dukje se Lituania aktualisht ndante 3,5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen dhe se do të vazhdonte të rriste investimet.
Presidenti letonez, Edgars Rinkevics tha se mezi priste të punonte me Trump.
“Evropa ka nevojë për një SHBA të fortë dhe SHBA-ja ka nevojë për një Evropë të fortë. Letonia është dhe do të jetë një partnere e fortë dhe e besueshme e SHBA-së”, shkroi ai në X. //a.i/