RIO DE ZHANEIRO – Të paktën 132 të vdekur në operacionin e përgjakshëm të policisë kundër bandave kriminale

RIO DE ZHANEIRO, 29 tetor /ATSH-DPA/- Të paktën 132 persona kanë vdekur gjatë një operacioni masiv policor kundër një sindikate krimi në Rio de Zhaneiro.
Numri i viktimave është dyfishuar, një ditë pas përleshjeve të dhunshme në lagjet e varfra, në Alemao dhe Penha.
Qeveria tha dje se 64 persona ishin vrarë, përfshirë katër oficerë policie, dhe më pas e uli numrin e tyre në 58.
Megjithatë, banorët e Penha gjetën dhjetëra trupa të tjerë në zonat pyjore dhe i vendosën pranë njëri-tjetrit në rrugën kryesore të lagjes.
Zëdhënësi i policisë ushtarake, Marcelo de Menezes Nogueira tha se këto vdekje nuk ishin regjistruar ende.
“Në 36 vjet në lagjet e varfra, gjatë të cilave kam qenë dëshmitar i disa operacioneve dhe masakrave, nuk kam parë kurrë diçka të ngjashme me atë që po shoh sot”, tha aktivisti Raul Santiago, i cili ndihmoi në gjetjen e trupave.
Forcat e sigurisë dhe kriminelët u përfshinë dje për orë të tëra ne luftime në lagjet e varfra të Alemao dhe Penha, në veri të Rio de Zhaneiros.
Të paktën 2 500 oficerë policie u përfshinë në operacion, i cili përfshinte gjithashtu dy helikopterë dhe dhjetëra automjete të blinduara.
Kriminelët i vunë flakën barrikadave dhe makinave, hodhën pajisje shpërthyese nga dronë dhe hapën zjarr ndaj oficerëve.
“Comando Vermelho” është një nga sindikatat më të mëdha kriminale në vendin e Amerikës së Jugut dhe është kryesisht aktive në trafikun e drogës.
Sipas autoriteteve, një udhëheqës rajonal i grupit dhe kreu financiar i njërit prej shefave kryesorë të bandës u arrestuan gjatë operacionit.
Policia gjithashtu sekuestroi më shumë se 90 armë automatike dhe mbi 200 kilogramë drogë. //a.i/